Lidhje

Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e Tiranës

  • Armand Mero

Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e Tiranës

Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e Tiranës

Në Shqipëri kolegji zgjedhor rrëzoi sot ankesën e Partisë Socialiste kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke i dhënë kështu fund edhe kapitullit të garës për kryeqytetin i cili në katër vitet e ardhshme do të drejtohet nga demokratët dhe kandidati i tyre Lulzim Basha. Socialistët kishin kërkuar që Komisioni Qendror të shqyrtonte kërkesën e tyre për pavlefshmëri të zgjedhjeve duke kundërshtuar edhe shpalljen e rezultatit. Por sipas Kolegjit kërkesa për pavlefshmëri ishte bërë jashtë afateve.

Ashtu si dhe ne rastet e mëparshme trupa e kolegjit zgjedhor lexoi sot vetëm vendimin, sipas të cilit kërkesa për pavlefshmërinë e zgjedhjeve e paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishtë bërë “jashtë afateve ligjore”.

Partia Socialiste kishte shpresuar të gjente hapësirë për të shqyrtuar edhe një herë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve problemet e lindura me mospërputhjen e shifrave ku numri i fletëve të votimit rezultoi më i madh se ai i votuesve duke kërkuar për këtë shkak pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

Më parë Komisioni Qendror e kishte hedhur poshtë një kërkesë të tillë me arsyetimin se pavlefshmëria mund të ishte kërkuar kur u mbyll zyrtarisht edhe procesi i parë i rinumërimit e për pasojë ankimimi i socialistëve vlerësohej se ishte jashtë afateve. Të njejtën frazë që socialistët sot e dëgjuan edhe nga Kolegji.

Praktikisht me vendimin e sotëm gara për Tiranën është e mbyllur dhe zotit Lulzim Basha do t’i duhet të presë vetëm përmbylljen e disa procedurave të tjera për të marrë në dorë çelsin e kryeqytetit. Ai siguroi një avantazh të ngushtë ndaj zotit Rama, me 93 vota, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të numëronte fletët e hedhura në kutitë e gabuara. Një vendim të cilin socialistët e cilësuan si një ndryshim të rregullave në mes të lojës dhe përmbysje të rezultatit në tavolinë.

Në deklaratën e tij në mbrëmje kryetari socialist Edi Rama sulmoi ashpër Kolegjin Zgjedhor i cili sipas tij “vulosi një grabitje të dhunshme dhe nxorri humbësin fitues”. Ai tha se akti i Kolegjit shënon “kapitullimin pa kushte të drejtësisë nën trysninë e një pushteti kusarësh”. Zoti Rama nuk dha shpjegime se cili do të jetë qëndrimi i ardhshëm i Partisë Socialiste dhe veprimi i saj politik. Ai mjaftua të thoshte se opozita do të nisë “një aksion të madh popullor për të ringjallur drejtësinë dhe për të shpëtuar vendin nga pengmarrësit e tij”.

Nga Brukseli, Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian Kethrin Eshton tha sot se ata ishin vënë në dijeni të vendimit dhe se janë në pritje të shohin arsyetimin e tij përpara se të bëjnë të qartë qëndrimin e tyre duke theksuar më tej se Brukseli “pret nga Shqipëria një dialog të pjekur politik dhe përparim në reforma”.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG