Lidhje

Kolegji Zgjedhor vendos sot mbi ankimimin e Partisë Socialiste

  • Armand Mero

Kolegji Zgjedhor vendos sot mbi ankimimin e Partisë Socialiste

Kolegji Zgjedhor vendos sot mbi ankimimin e Partisë Socialiste

Të gjithë sytë sot do të jenë të mbërthyer drejt Kolegjit Zgjedhor ku ndoshta do të vendoset për fatin e kryetarit të ardhshëm të bashkisë së kryeqytetit. Rezultati i ngushtë mes dy kandidatëve zotit Edi Rama dhe rivalit të tij Lulzim Basha i cili sipas vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve është fituesi i garës me 93 vota, por dhe debatet e shumta që kanë shoqëruar gjithë këtë proces, i kanë dhënë një ngarkesë shumë të madhe vendimit të sotëm. Socialistët kundërshtojnë shpalljen e rezultatit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe nga ana tjetër kanë kërkuar edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe një rivotim në kryeqytet. Ata kanë identifikuar 284 qendra votimi ku shifrat mes numrit të votuesve dhe fletëve të votimit nuk përputhen. Edhe në tabelën e rezultatit të shpallur nga KQZ-ja, diferenca është 870 vota më shumë se votues. Nga këto megjithatë duhet zbritur 513 vota, pasi në një qendër votimit nuk është mbajtur shënim numri i votuesve, por serish diferenca mbetet në 367 vota më shumë. Nga një analizë e pamjeve filmike të procesit të numërimit, të kryer prej tyre, socialistët kanë identifikuar raste ku numri i fletëve të votimit është rritur sipas tyre, gjatë procesit të rinumërimit të realizuar nga KQZ.

Por sipas demokratëve, ankimimi i opozitës për tabelat e rezultateve është jashtë afateve pasi sipas tyre, një gjë të tillë ata do të mund ta bënin vetëm kur u shpall rezultati i i parë zyrtar.

Vendimi i sotëm i Kolegjit mund të mbyllë përfundimisht kapitullin e betejës për kryeqytetin nëse kërkesa e socialistëve do të rrëzohej, në rast të kundërt, kjo betejë do të niste nga e para nëse pranohet pavlefshmëria e zgjedhjeve.

Megjithatë ka edhe një mundësi tjetër. Të shtunën e kaluar socialistët kanë dorëzuar një tjetër ankimim në Kolegj kundër KQZ i cili refuzoi të shqyrtonte ankimimin e Partisë Socialiste. Ka shumë mundësi që përfaqësuesit e opozitës të kërkojnë sot bashkimin e dy padive të tyre, edhe sepse nëse gjykohet e para, ajo e dorëzuar më pas nuk do të kishte më asnjë kuptim. Nëse kjo do të ndodhte dhe nga Kolegji do te pranohej padia e dytë, atëherë çështja do të rikthehej edhe një herë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Dje, kryetari socialist Edi Rama i bëri thirrje gjykatësve të Kolegjit Zgjedhor që në vendimin e tyre të mbështeten vetëm në linjë e të mos bien pre sipas tij e trysnisë së pushtetit. Zoti Rama theksoi se vetë kolegji, për të njëjtën situatë si në Tiranë, për mospërputhje të shifrave, ka kërkuar ripërsëritje të zgjedhjeve në dy komuna të vendit. Por ishin deklaratat e zotit Rama, ato që Partia Demokratike i cilësoi si trysni ndaj Kolegjit Zgjedhor duke u shprehur se kryetari socialist i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron, tha zonja Jorida Tabaku e cila kryeson listën e këshilltarëve bashkiak në kryeqytet. Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura, është i prapranueshëm dhe tregon qartë se është z.Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin”, është shprehur Tabaku.

Ndërkaq, presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë Eugen Ëollfarth, duke ju referuar procesit, foli për një gjykim i cili duhet te jete i paanshëm e i pandikuar politikisht nga ana e kolegjit zgjedhor.

XS
SM
MD
LG