Lidhje

Një koleksion i veçantë për përvjetorin e Betejës së Vaterlosë


Viti i ardhshëm shënon 200 vjetorin e Betejës së Vaterlosë, kur Perandori francez Napoleon Bonaparti u mund nga një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Anglia dhe Prusia. Në përgatitje për këtë përvjetor, një oficer amerikan në pension po rikrijon fushën e betejës në miniaturë, me 250 mijë ushtarë të vegjël të ngjyrosur me dorë.

“Çdo ushtar ka një gjatësi prej afërsisht gjashtë milimetrash,” thotë Steve St. Clair, oficer në pension.

Ai është munduar shumë për të ngjyrosur këta ushtarë të vegjël. I janë dashur 20 vjet dhe deri tani ka përfunduar 250 mijë prej tyre. Ai do të rikrijojë Betejën e Vaterlosë:

“Është faktikisht një ndër betejat më vendimtare në historinë ushtarake. Ajo i dha fund epokës së Napoleonit. Po ashtu, kjo betejë kishte njësi nga kaq shumë vende me uniforma nga më të ndryshmet. Mendova se ky fakt e bënte ngjyrosjen edhe më interesante.”

St. Clair u rrit në një familje oficeri dhe shërbeu edhe vetë si oficer për 25 vjet. Ai ngjyros figurina si mënyrë për të sjellë një balancë në jetën e tij.

“Një ndër fushat ku isha specializuar ishte anti-terrorizmi; ishte një punë me shumë stres. Kur kthehesha në shtëpi, kjo ishte mënyra për t’u qetësuar, pasi e mbledh mendjen dhe përqëndrohesh vetëm tek ngjyrosja.”

Ushtarët përmbajnë të gjitha detajet e sakta historike, deri tek ngjyrat e elementëve që zbukurojnë uniformën.

“Po ngjyros pendët në helmeta të kompanisë së granata-hedhësve. Ata kishin pendë të kuqe,” thotë z. St. Clair, duke shtuar: “Ngjyrosja e figurinave është një proces mjaft i gjatë. Së pari duhet të harxhosh shumë kohë duke studiuar çfarë uniformash vishnin ushtarët. Më të vështirët janë luftëtarët nga malësia e Skocisë, të veshur me fustanella.”

Objektet e betejës ai i mban në sirtarë në katin përdhes të shtëpisë. St. Clair thotë se deri tani ka shpenzuar 20 mijë orë pune për këtë koleksion; por ai këmbëngul se nuk i është bërë fiksim:

“Jam shumë i përkushtuar, por jo i fiksuar. Përkushtimi nënkupton se çdo ditë ngjyros. Kjo ekziston pavarësisht nga çdo gjë tjetër. Kam edhe interesa të tjera.”

Afro 200 mijë ushtarë luftuan në Betejën e Vaterlosë. St. Clair ka ngjyrosur edhe disa ushtarë shtesë për të rikrijuar skena të ndryshme beteje.

“Këtu shihet një shesh ku anglezët po mobilizohen për mbrojtje nga kavaleria franceze,” thotë.

Figurinat e vendosura në këtë plan me përmasa 2 me 3 metra përfaqësojnë rreth 4% të të gjithë koleksionit. St. Clair thotë se i duhet një hapësirë sa një fushë volejbolli për të ekspozuar të gjithë koleksionin.

“Nuk ka koleksione të tjera në botë me 250 mijë objekte. Deri në fund të vitit do të përfundoj edhe objektet rezervë.”

St. Clair do t’ia dhurojë krijimin e tij një muzeumi, por deri tani askush nuk ka treguar interes. Ai shpreson se ushtarët e tij do të gjejnë një strehë të përhershme ku të prezantohen me rastin e 200 vjetorit të Betejës së Vaterlosë vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG