Lidhje

Kolumbia arrin marrëveshje paqeje me rebelët


Konfliktit më të gjatë në Hemisferën Perëndimore duket se po i vjen fundi, pasi qeveria kolumbiane arriti një marrëveshje historike për paqe me udhëheqësit rebelë mbrëmë në Kubë.

Shpallja e një marrëveshjeje mes qeverisë dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, ose FARC-ut, pas katër vjet bisedimesh hap mundësinë që kolumbianët të lënë pas gjakderdhjen që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 220,000 njerëzve dhe shpërnguljen e më shumë se 5 milionëve nga shtëpitë e tyre.

“Sot, ne kemi arritur vijën e finishit: nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare me focat rebele të FARC-ut. Është fundi i konfliktit të armatosur. Mënyra më e mirë për të mundur luftën është të ulemi dhe të bisedojmë për paqen. Lufta ka mbaruar. Por... ka edhe një fillim i ri: kjo marrëveshje i hap mundësitë për të filluar një epokë transformuese në shoqërinë kolumbiane,” tha kryenegociatori i qeverisë kolumbiane, Humberto de la Calle.

Sipar marrëveshjes, qeveria e Kolumbisë do të adoptojë reforma për pronësinë, do të rregullojë strategjinë e saj kundër lëndëve narkotike, si dhe do të zgjerojë administratën shtetërore në zonat rurale, që kanë qenë tradicionalisht të neglizhuara në vend.

“Sot po i japim popullit të Kolumbisë fuqinë transformuese që kemi ndërtuar gjatë më shumë se gjysëm shekulli rebelimi, në mënyrë që me të, dhe fuqinë e bashkimit, të fillojë ndërtimi i një shoqërie për të ardhmen, për ëndrrën tonë kolektive me një vend të shenjtë ku gjejnë strehë demokracia, drejtësia sociale, sovraniteti dhe marrëdhëniet vëllazërore me respekt për të gjithë botën,” tha kryenegociatori i FARC-ut, Ivan Marquez.

Presidenti Juam Manuel Santos vlerësoi marrëveshjen gjatë një fjalimi televiziv kombëtar dhe u bëri thirrje kolumbianëve ta miratojnë marrëveshjen në referendumin që do të mbahet më 2 tetor.

“Me përfundimin e negociatave dhe arritjen e marrëveshjes, tani është në duart e juaja, në duart e tërë kolumbianëve, të vendosni me votë nëse e mbështetni marrëveshjen historike që i jep fund këtij konflikti të gjatë mes vëllezërve të të njëjtit komb. Ju premtova se ju do do ta kishit fjalën e fundit dhe kështu do të jetë,” tha ai.

Shumica e sondazheve thonë se në masë dërrmuese kolumbianët do ta miratojnë planin.

Ushtria rebele u detyrua të merrte pjesë në tryezën e bisedimeve pas një dekade humbjesh të rënda në fushëbetejë ku një sërë komandantësh rebelë të rangut të lartë u vranë nga ushtria kolumbiane e mbështetur nga SHBA. FARC-u u përgjysmua dhe arriti numrin aktual me 7,000 trupa.

Sipas marrëveshjes, ish-udhëheqësit rebelë do të shërbejnë në legjislaturën kolumbiane në vende të rezervuara posaçërisht për lëvizjen politike, ende pa emër të FARC-ut.

XS
SM
MD
LG