Lidhje

Qeveria dhe opozita komentuan mbi armët kimike siriane


Qeveria shqiptare thotë se shkatërrimi i armëve kimike siriane në Shqipëri kërkon garanci të plota se ky proces nuk do të dëmtojë integritetin, jetën dhe të ardhmen e vendit. Kryeministri Edi Rama tha se një përgjigje pozitive ndaj mundësisë së shkatërimit të armëve kimike siriane në Shqipëri është e lidhur me garancitë e plota për këtë operacion.

“Po-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe një marrëveshje nga ku të jetë e qartë për të gjithë se Shqipëria do të dali jo vetëm me kokën lart dhe e fituar, por edhe më e pastër sec është sot. Një moment i tillë mund të jetë një shans jo vetëm për të bërë detyrën tonë, por edhe për të dalë nga ky operacion më të fortë e më të pastër”, - deklaroi zoti Rama.

Dy ditë më parë zoti Rama deklaroi se nuk bëhej fjalë ende që duhej marrë një vendim, ndërsa dje kryeministri shqiptar foli më shumë për nevojën e garancive të një operacioni të mundshëm të shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. “Kontributi dhe pozicionimi i Shqipërisë krah SHBA-ve është i lidhur me interesin e cdo shqiptari dhe familjeve në vend, - tha ai - ndërsa njerëzit kanë nevojë për siguri të plotë, për të gjykuar mbi një marrëveshje konkrete e për të dëgjuar një arsyetim të plotë për çfarë përfiton Shqipëria dhe nga pikëpamja mjedisore nëse përfshihet në një operacion të tillë”.

Ndërkohë veprimtarë të mjedisit, qytetarë dhe studentë po zhvillojnë protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha kundër ardhjes në Shqipëri të këtyre lëndëve kimike. Ata protestuan para kryeministrisë, para presidencës dhe sot pritet të tubohen para parlamentit, kur do të mbahet seanca plenare. Studentë dhe qytetarë folën me shqetësim për rrezikun që sjellin këto lëndë kimike për banorët dhe natyrën shqiptare, duke shfaqur një ndjeshmëri të lartë për këtë temë.

Opozita nga ana e saj kërkoi më shumë transparencë për këtë cështje. Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi se kryeministri po vepron me arrogancë dhe pa transparencë, ndaj opozita do të kundërshtojë këtë sjellje të qeverisë.

Parlamenti pritet të mblidhet sot në seancë plenare, duke patur një tjetër tubim të qytetarëve në oborrin nga hyjnë deputetët, dhe pritet që cështja e armëve kimike siriane të zërë një pjesë të madhe të kohës së ligjvënësve. Ndërsa nesër, organizata për ndalimin e armëve kimike, e cila po bashkëpunon me OKB-në pritet të publikojë planin e shkatërrimit të armëve kimike siriane, bashkë me shtetet që do të përfshihen në operacion.

XS
SM
MD
LG