Lidhje

Një mjet fluturues për t’u ulur mbi kometë


Pas një fluturimi të gjatë në hapësirë, sonda e Agjencisë Evropiane të Hapësirës po i afrohet objektivit, një komete miliona kilometra larg tokës. Shkencëtarët thonë se misioni mund të çojë në zbulime befasuese rreth origjinës së ujit në tokë. Dhjetë vjetë më parë, një raketë me sondën fluturuese Rosetta nga Agjencia Evropiane e Hapësirës, u nis me një mision për të kryer studimin më të hollësishëm të një komete deri sot.

Ndërsa asteroidët janë shkëmbinj të mëdhenj, thuajse njëlloj si planetet e vogla, kometat përbëhen kryesisht nga akuj, thotë Ralph Cordey, me firmën Airbus Defense and Space, që ndërtoi mjetin fluturues Rosetta.

“Dihet që toka ka përmbajtje të madhe uji. Por nuk dihet se nga erdhi dhe ka të ngjarë që kometat mund të kenë patur diçka të bëjnë me të.”

Rozetës iu deshën 10 vjet të sillej tre herë rreth Tokës dhe një herë rreth Marsit, duke fituar shpejtësinë e duhur për të kapur kometën 67P Churyumov-Gerasimenko, që gjatë orbitës së saj i afrohet Tokës deri në 400 mijë kilometra.

Gjatë 30 muajve të fundit, shumica e paisjeve në bord ishin në gjendje gjumi për të kursyer energji, thotë inxhineri Simon Barraclough me Airbus.

“Kur jemi pranë diellit, shumë paisje janë në punë. Kur jemi larg diellit paisjet fiken.”

Riaktivizimi i paisjev në muajin janar, solli entuziazëm në qendrën e misionit në Darmstadt, të Gjermanisë, ndërsa sinjali nga Rosetta tregonte se kompjuteri po punonte.

Mjeti fluturues hapësinor së shpejti do të hyjë në orbitën e kometës në një distancë prej 10 kilometrash, duke krijuar hartën e sipërfaqes dhe bërë përllogaritje. Në nëntor Rosetta do të lëshojë një sondë të vogël, të quajtur Philae, që do të ulet në kometë. Zoti Cordey thotë se Rosetta dhe Philae do të masin gazin dhe pluhurin e kometës dhe do të dërgojnë foto nga sipërfaqja e saj.

“Sonda Philae do të ketë një sistem të mirë radarësh në bord me të cilin do të komunikojë me Rosettën në orbitë. Po ashtu sinjalet e radarit do të përdoren për të studiuar bërthamën e kometës. Ajo nuk do të studiojë vetëm sipërfaqen por edhe çfarë ndodhet poshtë sipërfaqes.”

Të dy sondat do të udhëtojnë me kometën për një vit të tërë. Rosetta do të studiojë se si ndryshon kometa ndërsa i afrohet diellit dhe fillon të nxehet, kurse Philae do të analizojë kampione të sipërfaqes dhe nënsipërfaqes së kometës.

XS
SM
MD
LG