Lidhje

Komisionerja e Lartë e BE, Katherin Ashton së shpejti në Shqipëri

  • Armand Mero

Komisionerja e Lartë e BE, Katherin Ashton së shpejti në Shqipëri

Komisionerja e Lartë e BE, Katherin Ashton së shpejti në Shqipëri

Kriza e rëndë politike në Shqipëri e thelluar pas ngjarjeve të 21 Janarit, ka bërë që shumë shpejt në Tiranë të mund të shkojë edhe Komisionerja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Katherin Ashton. Kjo u njoftua sot nga Majkëll Man, një zëdhënës i Komisionit Europian.

Baronesha Ashton shpreson të vizitojë Tiranë shumë shpejt pas përfundimit të turneut të saj në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore javën e ardhshme, njoftoi sot zëdhënësi. Sipas burimeve nga Brukseli, nëse kjo vizitë nuk realizohet në këtë moment, atëherë pritet të jetë në javën pasuese.

Mbërritja në Shqipëri e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian do të pasonte dy vizitat e të dërguarit të saj Miroslav Lajcak menjëherë pas ngjarjeve të 21 Janarit, në përpjekje për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut politik mes palëve. Përpjekje të cilat deri më tani nuk duket të kenë ndonjë rezultat.

Rreth situatës së krijuar, dy ditë më parë me përfaqësuesit më të lartë shtetëror dhe politik shqiptar diskutoi edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit Tomas Kantrimen, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG