Lidhje

Komisionet e parlamentit shqiptar vazhdojnë sot diskutimet për projekt-buxhetin e ri


Komisionet e parlamentit shqiptar vazhdojnë sot diskutimet për projekt-buxhetin e ri

Komisionet e parlamentit shqiptar vazhdojnë sot diskutimet për projekt-buxhetin e ri

Komisionet e parlamentit shqiptar vazhdojnë sot diskutimet për projekt-buxhetin e ri dhe për ndryshimet në kode që kërkojnë 84 vota të deputetëve. Komisioni parlamentar i ligjeve, komisioni i edukimit, komisioni i ekonomisë dhe komisioni për shëndetësinë dhe ai për tregtinë do të shqyrtojnë kapituj të tjerë të buxhetit dhe rizgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore, Ardian Fullani, për një mandat të dytë. Megjithë marrëveshjen e të hënës mes pozitës dhe opozitës për reformën zgjedhore, atmosfera nëpër komisione nuk është e qetë. Deputetët socialistë dolën nga mbledhja e mëparshme e komisionit të ekonomisë në shenjë proteste ndaj mungesës së ministrit të financave, ndërsa në komisionin e ligjeve ata shkëmbyer replika të ashpra për ligjet me 3/5 e votave.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në komisionin e ligjeve, deputeti Fatmir Xhafa, kërkoi që të shqyrtohen me kujdes kërkesat e opozitës, dhe të mos mendohet se nën emocionet e marrëveshjes do të kalohen ligje pa u studiuar bashkarisht.

“Ne nuk jemi këtu vetëm për numra, për të qenë kartona që mund të na përdorni ju apo kushdo tjetër sipas mënyrës së tij. Këtë harrojeni. Ne po kërkojmë që pikërisht ky unanimitet i konferencës së kryetarëve të kthehet në një vendimmarrje serioze nga komisioni i ligjeve”

Ndërsa kryetari i komisionit të ligjit, deputeti i Partisë Demokratike, Ilirian Rusmajli, tha se opozita premtoi se do të bashkëpunonte për miratimin e kodeve me 84 vota dhe se nuk bëhej fjalë për ndonjë përpjekje që të anashkalohej opozita.

“Konferenca e kryetarëve e hodhi poshtë këtë tentativë për t’iu imponuar parlamentit në shqyrtimin e këtyre projekt-ligjeve me procedura përjashtimore. Kjo është prova e parë se sa do t’i qëndronte historisë marrëveshja”

Opinioni publik po ndjek me optimizëm të matur marrëveshjen që u arrit të hënën në mbledhjen e kryetarëve në parlament, sepse droja që dialogu mund të pengohet lehtë bazohet në përvoja të shumta më parë. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Uollfarth, përshëndeti i pari të hënën, vendimin e konferencës së kryetarëve të parlamentit për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore dhe për të çuar përpara axhendën e ligjeve të tjera reformuese, të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Ambasadori Uollfarth nuk harroi të theksojë se:

“...marrëveshja ndërpartiake e arritur është një hap vendimtar, që tani kërkon miratim formal dhe përfundimtar në seancë plenare, gjë të cilën shpresojmë ta shohim këtë të enjte”.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, deklaroi se mirëpriste rikthimin e dialogut politik dhe institucional në parlament midis partive politike të mazhorancës dhe të opozitës. Presidenti Topi tha në një mesazh publik se:

“....dialogu politik për reformat institucionale, edhe pse i vonuar, përbën një detyrim dhe sfidë madhore për politikën shqiptare, për arritjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Zoti Topi nxiti forcat politike parlamentare që:

“...të ndërmarrin një proces gjithëpërfshirës dialogu, dhe me vullnet të qartë politik të bashkojnë energjitë e tyre për të realizuar dhe votuar në kohë reformat e premtuara prej tyre dhe ato të cilësuara në Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian mbi Shqipërinë”.

Megjithatë, shumëçka mbetet të shihet realisht se si do të sillen dhe cfarë do të përmbushin nga premtimet e ndërsjellta përfaqësuesit e forcave kryesore politike, gjatë kësaj jave në seancat e parlamentit dhe në komisionet e tij. Përvoja tregon se ata humbin shumë kohë dhe gjejnë gjithfarë shkaqesh për të zvarritur dialogun dhe marrëveshjet, ndonëse angazhohen për vullnet të fortë politik në kryerjen e reformave.

XS
SM
MD
LG