Lidhje

Komisioni Europian paraqet sot opinionin e tij lidhur me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat


Komisioni Europian paraqet sot opinionin e tij lidhur me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat
Komisioni Europian paraqet sot opinionin e tij lidhur me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat

Ndërsa sot pasdite në orën 17 qeveria ka parashikuar një koncert festiv për vendimin e djeshëm të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, në Bruksel një orë më parë pritet që komisioneri për zgjerimin Stephan Fuele të publikojë opinionin që struktura e drejtuar prej tij ka përgatitur për Shqipërinë dhe përgjigjen ndaj kërkesës së dorëzuar në prill të 2009 për statusin e vendit kandidat.

Deri më tani, gjithshka rreth këtij opinioni i është referuar burimeve të brendshme në Bruksel, sipas të cilave rrezikohet që përgjigja për Shqipërinë të jetë negative. E vetmja pjesë e dokumentit të hartuar nga komisioni që ka rënë në duart e një pjese të medias dhe që e zotëron edhe Zëri i Amerikës, është ajo që analizon situatën në Shqipëri.

Baza e vlerësimit ka qenë përputhshmëria e hapave të realizuar nga vendi me kriteret e Kopenhagenit. Ky dokument referimi përcakton se:

anëtarësimi do të mund të realizohet sa më shpejt kur vendi të jetë i gatshëm t’i përgjigjet detyrimeve të anëtarësimit duke përmbushur kushtet politike dhe ekonomike të kërkuara. Anëtarësimi – sipas kritereve të Kopenhagenit – kërkon që shteti kandidat të përmbushë stabilitetin e institucioneve duke garantuar demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut si dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave”.

Po si paraqiten në raport zhvillimet në Shqipëri përballë këtyre kritereve...?!

Kriteret politike duken se janë ato që lënë më shumë për të dëshiruar.”Efikasiteti dhe qëndrueshmëria e institucioneve demokratike nuk janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Institucionet dhe procedurat parlamentare nuk funksionojnë si duhet” vëren raporti i komisionit sipas të cilit “Parlamenti nuk ushtron mbikqyrje efektive dhe kontroll mbi qeverinë. Dialogu politik është konfrontues dhe jo konstruktiv, jo vetëm për shkak të ngërcit politik që zgjat që prej zgjedhjeve të 2009”.

Lidhur me zgjedhjet, raporti i përmbahet vlerësimit të Osbe/Odihr si dhe rekomandimeve të bëra prej tyre, për të cilat raporti konstaton se “nuk janë përkthyer ende në një reformë të kënaqshme elektorale, e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme”, administrative që do të mbahen në 8 maj 2011.

Një vërejtje që përsëritet prej vitesh lidhet me administratën publike ku flitet për një “shërbim civil shumë të politizuar, emërime në mungesë të transparencës dhe ndryshime të shpeshta stafesh”.

Raporti vërën me shqetësim situatën në drejtësi, funksionimin, efikasitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit. “Mos respektimi nga ana e qeverisë i vendimeve të Gjykatës Kushtetues dhe votimi politik i kandidaturave të Presidentit të Repubblikës për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, përbëjnë shqetësim pasi ato sfidojne parimet themelore si pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i shtetit të së drejtës”, shkruhet në analizën e Komisionit.

Sërish për korrupsionin përdoret termi i përdorur edhe një vit më parë duke e përkufizuar atë si “një problem vecanërisht serioz”.

Komisioni kërkon zgjidhjen e problemeve që “pengojnë hetimet ndaj gjyqtarëev, ministrave apo deputetëve që mbrohen nga imuniteti i pakufizuar”. Në luftën kundër krimit të organizuar njihen hapat dhe përparimi i bërë si dhe vlerësohet i përshtatshëm kuadri ligjor dhe institucional të cilët megjithatë sipas komisionit “mbeten për t’u provuar në praktikë”, ndërsa “hetimet e sukseshme duhet të pasohen edhe nga ndëshkime” nënvizon Komisioni europian.

Ekonomia duket se është sektori që ka marrë edhe vlerësimin më të mirë ku vihet në dukje fakti se vendi ka ruajtur rritjen pozitive pavarësisht krizës financiare globale. Megjithatë ashtu si dhe Fondi Monetar ndërkombëtar ngrihet “shqetësimi për nivelin e lartë të borxhit publik, dobësitë e shtetit të së drejtës që dëmtojnë klimën e biznesit, dhe për problemet që lidhen me titujt e pronësisë”.

Raporti i vlerësimit dhe opinioni i komisionit do t’i dorëzohen në Tiranë kryeministrit Sali Berisha nga drejtori i drejtorisë së zgjerimit Pierre Mirel pasdite vonë.

XS
SM
MD
LG