Lidhje

Komisioni Evropian kërcënon Hungarinë me ngrirje të fondeve


Komisioni Evropian kërcënon Hungarinë me ngrirje të fondeve
Komisioni Evropian kërcënon Hungarinë me ngrirje të fondeve

Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian tha sot se ka në plan të pezullojë fondet e zhvillimit prej 655 milionë dollarësh për Hungarinë, pasi Budapesti nuk arriti të ulë deficitin buxhetor. Hungaria ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga Komisioni Evropian për të ulur deficitin buxhetor që nga koha kur u bë anëtare e Bashkimit në vitin 2004:

Propozimi i sotëm është një sinjal i qartë se Komisioni Evropian pret nga Budapesti zyrtar masa konkrete gjatë këtij viti në mënyrë që të reduktohet borxhi i madh hungarez:

“Komisioni mori sot vendim për të propozuar një pezullim të pjesshëm të angazhimeve për Fondin e BE-së për Hungarinë duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm e më tej. Masat janë rezultat i mospërmbushjes së rekomandimeve për të vënë nën kontroll deficitin e madh”.

Propozimi për të pezulluar fondet është episodi i fundit i një seri përplasjesh lidhur me gjendjen e tregut financiar dhe dyshimet për shkelje të të drejtave civile nga Hungaria. Para se të vihet në zbatim, masa duhet të miratohet nga 26 vendet e tjera anëtare të Bashkimit.

“Dua të theksoj se vendimi i sotëm duhet parë si mesazh nxitës për të korrigjuar një devijim dhe jo si ndëshkim. Është një masë e drejtë me natyrë parandaluese.

Është hera e parë që Komisioni Evropian ka propozuar të pezullojë fonde të veçuara për një prej anëtarëve të tij, si rezultat i deficitit buxhetor. Fondet e zhvillimit ishin planifikuar në mbështetje të sektorit të transportit dhe projekteve për mjedisin në disa prej rajoneve më të varfra të Bashkimit.

Që nga momenti që u fut në Bashkimin Evropian, Hungaria ka qenë nën presionin e Komisionit për të ulur deficitin buxhetor, i cili e kishte kapërcyer nivelin tavan të lejueshëm prej 3 për qind të prodhimit ekonomik. Megjithë paralajmërimet e vazhdueshme, Budapesti deri tani nuk ka arritur të zgjerojë masat strukturore për të ulur shpenzimet.

Fondet që Komisioni ka kërcënuar se do të pezullojë janë planifikuar për lëvrim në vitin 2013. Si rrjedhojë, Hungaria ka kohë deri në janar të vitit të ardhshëm të marrë masa për të shmangur zbatimin e tyre. Pezullimi i këtyre fondeve do të kishte ndikim të dukshëm në ekonominë e vendit. Paketa e ndihmave prej 655 milionë dollarësh është e barabartë me 0.5 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto.

XS
SM
MD
LG