Lidhje

Seancë e Komisionit amerikan të Helsinkit mbi zgjedhjet në Shqipëri

  • Ilir Ikonomi

Seancë e Komisionit amerikan të Helsinkit mbi zgjedhjet në Shqipëri

Seancë e Komisionit amerikan të Helsinkit mbi zgjedhjet në Shqipëri

Komisioni amerikan i Helsinkit zhvilloi të merkurën në selinë e Kongresit amerikan një seancë informimi mbi zgjedhjet lokale dhe mungesën e stabilitetit politik në Shqipëri. Të ftuar për të dhënë mendimin e tyre ishin Xhonathan Stonstrit, kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri, Robert Benxhamin, i Institutit Demokratik Kombëtar dhe Janush Bugajski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Shefi i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Xhonatha Stonstrit, i cili foli me telefon nga Parisi, komentoi në seancë mbi procesin zgjedhor në Shqipëri. Megjithëse zgjedhjet sollën disa dukuri pozitive, tha ai, dy partitë, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk i kryen me përgjegjësi detyrat e tyre përsa u përket zgjedhjeve dhe kjo ndikoi negativisht në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke minuar besimin e publikut.

Kjo, tha ai, u pa në faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përdor si një fushë beteje politike mes partive, në emërimin e vonuar të komisionerëve si dhe në akuzat publike të papërgjegjshme që vunë në pikëpikëpyetje integritetin e komisionerëve në të gjitha nivelet. Këtu, tha zoti Stonstrit, e kam fjalën për të dyja partitë sepse kur u takova me to, secila prej tyre ishte e prirur të thoshte se këto vërejtje kishin të bënin vetëm me partinë kundërshtare.

Përsa i përket KQZ-së, vendimet për çështje të cilat kontestoheshin nga partitë politike, merreshin në linja politike dhe jo në mënyrë kolegjiale. Pra, kur mes dy partive politike kryesore nuk kishte mosmarrëveshje, KQZ-ja sillej si një organ kolegjial, por sapo mes partive shfaqeshin pikëpamje të kundërta, këto pasqyroheshin brenda në KQZ.

Këto lloj qendrimesh partiake nuk ndihmuan për të rritur besimin tek KQZ-ja. Megjithatë, ky polarizim i madh jo dosmosdo u shtri edhe në komisionet zgjedhore të rangjeve më të ulta, tha zoti Stonstrit.

Rezultati tepër i ngushtë i zgjedhjeve do ta vinte në provë çdo administratë zgjedhjesh, edhe ato më të fortat. Por në Shqipëri, administrata zgjedhore nuk është ndër më të fortat, prandaj edhe trysnia në këtë rast është akoma më e madhe, tha shefi i misionit ndërkombëtar të vëzhgimit.

Përsa i përket vendimit për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, tha zoti Stonstrit, KQZ-ja ndërmori një veprim me implikime mjaft të gjera mbi një bazë jo kolegjiale dhe pa i shpjeguar këto veprime qysh më parë. Ai tha se nuk mund të komentojë lidhur me këtë vendim sepse ai do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor.

Robert Benxhamin i Institutit Demokratik Kombëtar me qendër në Uashington tha se është e nevojshme që dy partitë politike kryesore të bëjnë një hap prapa, duke nënkuptuar se ato nuk duhet të ndërhyjnë në proces. Gjithashtu, tha ai, dy kandidatët për Tiranën duhet t’u shmangen deklaratave triumfaliste. Ai përmendi zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në Shtetet e Bashkuara, ku rezultati ishte tepër i ngushtë, dhe tha se situata u zgjidh pa probleme pasi zyrtarët treguan mjaft transparencë dhe maturi në veprimet e tyre. Asnjë zgjedhje në botë nuk është e përsosur, tha zoti Benxhamin, por kryesorja është që qytetarët të kenë besim tek procesi.

Janush Bugaski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se një polarizim i tillë i madh mund të çojë në konflikte civile dhe shton rrezikun e rënies ekonomike në Shqipëri. Ai fajësoi për këtë gjendje disa dikuri që vihen re në Shqipëri. Zoti Bugajski tha se në Shqipëri, debatet mes partive nuk zhvillohen mbi baza ideologjish por mbi bazën e besnikërisë ndaj grupit. Ai fajësoi gjithashtu klientelizmin dhe favoritizmin poltik. Të humbasësh një post në Shqipëri, tha ai, është financiarisht e dhimbshme dhe vuri në dukje hakmarrjen politike që sipas tij ekziston në Shqipëri. Eksperti Bugajski theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë instrumente të drejtpërdrejta për të ndihmuar Shqipërinë dhe duke patur parasysh reputacionin që ato kanë në Shqipëri, mund të luajnë rol më të madh për ta ndihmuar vendin të përmirësojë zhvillimin e zgjedhjeve në të ardhmen.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Gilbert Galanxhi, tha se këto zgjedhje ishin të lira dhe të drejta me një pjesmarrje të madhe. Zgjedhjet ishin gjithashtu shumë transparente. Është një detyrë kushtetuese e qeverisë sime të garantojnë të drejtën e votës për secilin qytetar dhe qeveria ime iu përgjigj këtij obligimi. Kjo po ndodh edhe në Shqipëri: çdo votë po numërohet, tha ai.

XS
SM
MD
LG