Lidhje

Kompanitë amerikane përpiqen të ulin konsumin e energjisë në zyra


Kompanitë amerikane përpiqen të ulin konsumin e energjisë në zyra
Kompanitë amerikane përpiqen të ulin konsumin e energjisë në zyra

Në konkursin e saj të parë Kombëtar për Arkitekturën, Agjencia amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit kohët e fundit u bëri thirrje kompanive nga i gjithë vendi të reduktojnë praktikat që shpenzojnë pa nevojë energji elektrike në ndërtesat ku jetojnë e punojnë. Ndërtesat e banimit apo zyrat të marra së bashku përfaqësojnë 40 për qind të konsumit kombëtar të energjisë dhe administrata Obama është shumë e interesuar për të ulur këtë sasi energjie të konsumuar:

Ndërtesat konsumojnë energji të madhe. Për këtë arsye Presidenti Obama shkoi në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë ditët e fundit për të folur mbi një plan që mund të ndihmojë ndërtesat e zyrave të bëhen më efiçente në përdorimin e energjisë:

"Shndërrimi i ndërtesave tona në konsumatore më efiçente të energjisë është një nga mënyrat më të shpejta, të lehta dhe të lira për të kursyer para, për të ulur ndotjen e mjedisit dhe për të hapur vende pune në Shtetet e Bashkuara dhe pikërisht këtë do të bëjmë”.

Zoti Obama vizitoi laboratoret e Universitetit, ku shkencëtarët po punojnë për të zhvilluar teknologji të reja me synimin për të ulur shpenzimin e panevojshëm të energjisë në komplekse zyrash, si në kompleksin e shitjeve Sears në Glen Burnie të Merilendit, ku punon si menaxher Ed Maunz.

"Kjo ndërtesë shpenzon energji 24 orë në ditë. Nuk ka aktivitet 24 orë në ditë, por ka shumë pajisje në punë pa pushim. Një ndërtesë e këtyre përmasave mund të shpenzojë shumë energji, nëse nuk ndiqen praktika efiçente”.

Kompania Sears mori përsipër të reduktonte energjinë e përdorur. Të gjithë pajisjet e ajrit të kondicionuar në ndërtesat e saj u kontrolluan dhe u riparuan. Çdo llampë e vjetër u zëvendësua me llampa efiçente. Po ashtu u instaluan sensorë për lëvizjet, në mënyrë që dritat të ndizeshin vetëm kur kishte aktivitet nëpër zyra apo në magazina.

"Nëse askush nuk punon me një pajisje të caktuar, përse duhet që ajo të jetë e ndezur?

Kompania Sears uli konsumin e saj të energjisë 31 për qind dhe arriti të kursejë 46 mijë dollarë në faturat e elektrikut. Xhonathan Boushell, i cili shet pajisje elektronike, ishte pjesë e ekipit që realizoi ndryshimet:

"Morëm masa që televizorët të fikeshin në një orë të caktuar të ditës. Morëm masa që çdo gjë të fikej kur mbaronte dita e punës. Pra ishim shumë të vetëdijshëm për mundësitë e kursimit dhe u përpoqëm t’i shfrytëzojmë kudo që ishte e mundur”.

Masat e kompanisë Sears mund të zbatohen edhe nga kompani të tjera me një kosto të vogël, ose fare pa kosto, shpjegon Xhenifer Aman, drejtoreshë e Programit të Ndërtesave në Këshillin Amerikan për një Ekonomi Efiçente.

"Analiza e operacioneve dhe praktikave të mirëmbajtjes është një mënyrë shumë e mirë për ndryshime, ndoshta duke ndryshuar disa elementë që konsumojnë shumë energji, pa bërë shpenzime kolosale.

Një ndërtesë zyrash në Arlington të Virxhinias ka arritur rezultate. Sfida një vjeçare që mori mbi vete rezultoi në reduktim prej 28 për qind të energjisë së shpenzuar. Një sistem më efiçent ndriçimi si dhe modernizimi i sistemit të ngrohjes dhe ajrit të kondicionuar rezultuan në kursime në shumën 250 mijë dollarë. Mike Williams është një ndër drejtuesit e kompanisë që jep zyra me qera në këtë ndërtesë. Ai thotë se suksesi i programit varet nga angazhimi i qera-marrësve në këto praktika.

"Teknologjia ishte vetëm një pjesë e procesit, tjetra ishte ndryshimi i praktikave të njerëzve në shfrytëzimin e energjisë.

Një ndër qera-marrësit është Shoqata e Aluminit. Presidenti Steve Larkin thotë se sfida e Agjencisë së Mjedisit ishte pasqyrim i praktikave të punonjësve të tij në shfrytëzimin e energjisë në zyrë:

"Kjo do të thotë: të fikësh dritat, të fikësh kompiuterin kur ke mbaruar punë. Kjo do të thotë të mbyllësh perdet apo grilat për të mos lejuar diellin të futet në zyrë gjatë verës dhe hapjen e grilave në ditë dimri”.

Xhenifer Aman e Këshillit Amerikan për një Ekonomi Efiçente në Energji thotë se konkursi tregoi mundësi të shumta të pashfrytëzuara për të kursyer energji. Ajo shton se ky është një angazhim i vazhdueshëm që ia vlen si nga kostoja ashtu edhe nga nevoja për të mbrojtur planetin.

XS
SM
MD
LG