Lidhje

Kompania Google në gjyq për të sfiduar një urdhër të qeverisë spanjolle

  • Loren Frejër

Kompania Google në gjyq për të sfiduar një urdhër të qeverisë spanjolle

Kompania Google në gjyq për të sfiduar një urdhër të qeverisë spanjolle

Në një gjykatë të Madridit, gjigandi i teknologjisë, Google, po lufton me një urdhër të Spanjës, për të hequr disa të dhëna nga mekanizmi i kërkimit. Çështja përqëndrohet tek parimi i një ligji spanjoll, të njohur si e drejta për t’u harruar dhe është përplasja më e fundit e kompanisë Google me ligjet evropiane të privacisë.

Le të themi se dikush ju ka akuzuar për një krim. Gazeta lokale shkruan për të, por ti mbrohesh në gjyq dhe del se je i pafajshëm. Disa vjet më votë, ajo gazetë mund të ekzistojë ende diku në internet. A ke të drejtë ta shuash atë?

Kjo është pyetja që po debaton një gjykatë e Madridit në çështjen mes gjigandit Google dhe agjencisë spanjolle për mbrojtjen e të dhënave. Autoritetet spanjolle kanë depozituar 90 akuza kundër kompanisë “Google”, nga qytetarë të cilët kërkojnë që informacionet shpifëse kundër tyre të hiqen nga kërkimet në “Google”. Në Spanjë, dëshira e tyre është e ruajtur me ligj dhe quhet e drejta për t’u harruar. Paloma Paloma Llaneza është avokate për mbrojtjen e të dhënave, që përfaqëson disa nga paditësit.

"Argumenti i përgjithshëm është ai që ne e quajmë “e drejta për t’u harruar”, dhe që bazohet në të drejtën e çdo qytetari, apo individi që të dhënat për të, të përdoren siç duhet. Për ta shpjeguar thjesht – kur kërkon në Google për dikë dhe gjen disa informacione – ne kërkojmë që këto informacione të mos gjenden përmes Google-it."

Kompania Google nuk iu përgjigj kërkesës sonë për një intervistë. Por ajo ka publikuar disa deklarata, ku thotë se nuk është detyra e saj të censurojë Internetin. Google thotë se është përgjegjësia e gazetës për të eliminuar raportimet e gabuara dhe jo e Google-it. Kompania e teknologjisë refuzoi t’i bindet urdhërave spanjolle dhe tani çështja po shqyrtohet në gjykatë.

Avokatja Llaneza thotë se është e rëndësishme të respektohet ligji spanjoll, nëse Google kërkon të bëjë biznes në Spanjë.

"Ndoshta për Google është e vështirë që ta kuptojë këtë çështje. Ka kultura të ndryshme në mbarë botën. Por e vërteta është se ne kujdesemi shumë për privacinë dhe mbrojtjen e informacioneve tona. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi Google i ofron shërbimet e veta edhe në Spanjë. Ata përdorin emrin e fushës ku kërkohet në spanjisht dhe ja përshtasin shërbimet e tyre vendit tonë. Pra ata duhet të jenë të përgatitur për t’ju përmbajtur ligjit spanjoll."

Kjo është përplasja më e fundit e kompanisë “Google” me ligjet relativisht strikte të privacisë në Evropë. Kompania është në gjyq, ose në prag të tij në Britani, Gjermani, Francë, Itali dhe Republikën Çeke. Shumë nga ankesat janë rreth projektit të Google Street View – që kap imazhe të pothuajse çdo rruge apo shtëpie – që disa qeveri thonë se dhunon privacinë e pronarëve.

Joel Reidenberg ka qënë profesor për ligjin e informacionit në Paris dhe New York. Ai thotë se shumë ligje evropiane të privacisë janë krijuar shumë më parë Internetit dhe ka një përplasje mes privacisë dhe vetë natyrës së internetit - rrjedhjen e lirë të informacionit që nuk mbaron tek kufijtë kombëtarë.

"Këto probleme do të vazhdojnë të shfaqen, derisa të ndodhin një apo dy gjëra: ose kompanitë e teknologjisë të fillojnë të ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e ligjit ekzistues, ose ligji duhet të ndryshojë."

Joel Reidenberg thotë se mendon që numri i ankesave ligjore rreth kompanisë “Google” tregon se qeveritë evropiane nuk ka të ngjarë të sprapsen.

"Unë mendoj se këto janë ilustrime që agjencitë rregullatore u thonë kompanive teknologjike, që t’i ndërtojnë modelet e biznesit bazuar tek përdorimi i informacioneve personale, dhe se ato duhet t’I përshtasin teknologjitë e tyre për të ruajtur privacinë."

Avokatja spanjolle Llaneza thotë se disa nga betejat për privacinë janë të pashmangshme për kompanitë teknologjike si “Google”.

"Ka avantazhe të jesh kompani ndërkombëtare, por ka edhe disa dizavantazhe. Duhen marrë në konsiderate ligjet e secilit vend."

Vendimi për rastin e kompanisë “Google” në Spanjë pritet të merret brenda disa javësh.

XS
SM
MD
LG