Lidhje

Kompanitë e internetit gjithnjë e më të përfshira në ngjarjet politike

  • Uilliam Ajd

Kompanitë e internetit gjithnjë e më të përfshira në ngjarjet politike

Kompanitë e internetit gjithnjë e më të përfshira në ngjarjet politike

Kur Uael Gonem, drejtor në kompaninë Google, u rishfaq në Egjipt, pasi qe mbajtur nga forcat e sigurisë atje për 12 ditë, ai u prit si hero nga protestuesit antiqeveritarë në sheshin Tahrir.

Zoti Gonem, është drejtor marketingu në kompaninë Google për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Një faqe në Facebook që ai kishte nisur para protestës masive luajti një rol kyç për të nxitur demonstruesit të dilnin në rrugë, duke ndihmuar në nisjen e kryengritjes popullore që më në fund solli fundin e sundimit 30-vjeçar të Presidentit Hosni Mubarak.

Markus Mesnër është profesor i gazetarisë në Universitetin e Komonuelthit të Virxhinias. Ai thotë se kompanitë e internetit janë duke luajtur një rol gjithnjë e më të madh në çështjet botërore.

"Mendoj se po shohim një rol më aktiv, por natyrisht kjo varet dhe ndryshon sipas kompanisë. Facebook deri më tani nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim aktiv, por Google dhe Twitter, në këto protesta (në Egjipt), kanë qenë më aktive."

Profesor Mesnër vë në dukje se në vitin 2009, kur protestat shpërthyen në Iran, firma Twitter shtyu mirëmbajtjen e kompjuterëve në mënyrë që të mos kishte ndërprerje të shërbimit për protestuesit që përdornin faqen. Kohët e fundit, kur autoritetet në Egjipt ndërprenë shërbimin e internetit, disa punëtorë të kompanive Google, Twitter dhe SayNow gjetën mënyra për të ndihmuar protestuesit të shmangnin pengesën e vënë nga qeveria.

Ndërsa Facebook mburret se ka gjysmë miliard anëtarë, Twitter po shënon rritje me ritme prej 100 deri në 200 për qind në vit. Profesor Mesnër thotë se roli i kompanive të internetit nuk mund të mohohet.

Ndërkaq, Xhefri Kor, komentator për sigurinë kibernetike në revistën Forbes, thotë se liria që kompania Google u jep punonjësve të vet u mundësoi atyre të luajnë rol në Egjipt.

"Google si kompani është tejet përkrahëse ndaj punonjësve. Ajo u jep atyre 20 për qind të kohës çdo javë për të punuar në projekte të pavarura. Kujtoj se ndikim patën vetë punonjësit e jo domosdoshmërisht ndonjë vendim zyrtar i korporatës."

Zoti Kor thotë se ajo që punonjësit e Google-it bënë në Egjipt ishte nismë e tyre dhe se ata meritojnë mirënjohje për këtë.

Në fund, analistët vënë në dukje që Google dhe firma të tjera interneti janë megjithatë biznese, korporata me detyrimin për të mbrojtur interesat e aksionerëve.

Xhillian Jork punon në Qendrën Berkman për Internet dhe Shoqëri pranë Universitetit Harvard. Ajo thotë se shumë kompani të internetit nuk janë themeluar me idenë se do të përdoren për veprimtari politike.

"Çdo kompani në një pikë duhet të vendosë nëse do të mbajë një qëndrim të vendosur për këto çështje. Ne kemi parë sesi Google ka bërë këtë, së pari duke u tërhequr nga Kina vitin e kaluar dhe, së voni, duke mbajtur një konferencë mbi lirinë e internetit. Google ka përvojë në këtë rol. Facebook ndoshta më pak. Ndërsda Twitter, do të thoja, ndodhet diku në mes."

Një gjë që analistët thonë se është e rëndësishme është që Google dhe kompanitë e tjera të teknologjisë së lartë nuk i kanë pushuar punonjësit si zoti Gonem dhe të tjerët që janë të përfshirë në zhvillimin e teknologjisë Speak2Tweet, sistemi që i lidh telefonat me rrjetin Twitter, ç’ka u lejoi protestuesve në Egjipt të komunikonin me njeri tjetrin, duke anashkaluar internetin që qeveria e bllokoi. Analistët e kësaj industrie thonë se kompanitë kanë dhënë një mesazh të fuqishëm rreth përkushtimit të tyre ndaj fjalës së lirë.

XS
SM
MD
LG