Lidhje

Kompanitë e naftës largojnë punëtorët nga Libia

  • Selah Henesi

Kompanitë e naftës largojnë punëtorët nga Libia

Kompanitë e naftës largojnë punëtorët nga Libia

Dita e hënë shënoi një rritje të ndejshme të çmimeve të naftës ndërkohë që dhuna në Libi shtoi shqetësimet se burimet energjitike mund të ndërpriten. Çmimi i naftës së papërpunuar në tregun e Londrës që përcakton çmimet për të gjithë botën, u rrit më shumë se dy përqind duke kapur shifrat më të larta që nga viti 2008. Trazirat në Libi bënë që disa nga kompanitë më të mëdha të naftës të fillojnë tërheqjen e punonjësve nga ai vend ndërkohë që janë përshkallëzuar përleshjet mes protestuesve dhe forcave qeveritare të sigurisë.

Kompania BP me qendër në Britani thotë se ka ndaluar përgatitjet për shpime në Libi dhe po evakuon punonjësit dhe familjet e tyre. Të hënën shefi ekzekutiv i kompanisë BP, Bob Dudley, tha se firma po monitoron nga afër zhvillimet në Libi.

“Kemi veprimtari në atë vend që janë tejet të kufizuara në fazat e para të eksplorimit. Kemi disa punonjës atje dhe familjet e tyre janë larguar nga ai vend. Mbetemi të angazhuar për të bërë biznes në atë vend, por sikurse të tjerë po vëzhgojmë me kujdes zhvillimet atje.”

Kompania BP nuk është e vetmja firmë nafte që ka reaguar ndaj trazirave në shtetin e Afrikës së Veriut. Firma Shell ka evakuar familjet e punonjësve ndërkohë që kompania Statoil e Norvegjisë i ka mbyllur zyrat në kryeqytetin Tripoli.

Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që trazirat u shtuan të henën në Libi duke u përhapur edhe në kryeqytetin e atij vendi. Sipas Human Rights Watch, mbi 200 njerëz kanë gjetur vdekjen që nga e enjtja e kaluar.

Trazirat në Libi erdhën pas revoltave në Tunizi dhe Egjipt të cilat përmbysën udhëheqësit që kanë sunduar ato vende për një kohe shumë të gjatë.

Analisti David Wech me firmën konsulete me qendër në Vienë JBC Energy, thotë se situata në Libi ka ndikim më të madh në tregun e naftës sesa revoltat e tjera në rajon.

“Është më e rendësishme se sa zhvillimet në Tunizi. Egjipti është nje vend tranzit i naftës por kur flitet për prodhimin është e qartë se Libia është më e rendësishme."

Libia zë vendin e dymbëdhjetë në botë për eksportin e naftës. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ky vend prodhon 1.6 milion fuçi naftë të papërpunuar në ditë ose dy përqind të kërkesave botërore. Analisti austriak thotë se efektet afatgjata të situatës aktuale nuk duhet të jetë të mëdha.

Por Christopher Davidson me Universitetin Durham të Britanisë thotë se nafta mund të ketë një ndikim të madh në situatën e brendëshme politike brenda Libisë. Të hënen, njëri nga djemtë e udhëheqësit të Libisë Moammar Gadhafi ju drejtua vendit dhe paralajmëroi se lufta civile mund të shkaktojë djegien e puseve të naftës nga kriminelët, gangsterët dhe banditët.

Christopher Davidson me Universitetin Durham të Britanisë thotë se largimi i kompanive të naftës është një lajm i keq për udhëheqjen e Libisë.

“Nuk është veçanërisht lajm i keq për opozitën. Mendoj se opozita e shikon këtë si të nevojshme dhe të pashmangshme. Atyre ju intereson që vendi të spastrohet nga çdo kompani apo influencë që ka mbajtur anën e Gadhafit. Megjithatë, jam i sigurtë që çdo qeveri e re demokratike në Libi do të jetë realiste dhe do të risjellë në vend konçensionet e huaja sepse Libia ka nevoja teknologjike.”

Komapnia BP me bazë në Britani nënshkroi një marrëveshje me Libinë në vitin 2007 që kap vlerën e të paktën 900 milion dollarëve.

XS
SM
MD
LG