Lidhje

Kompanitë e ujit dhe energjia diellore


Centrali më i madh lundrues i energjisë diellore në Evropë është gati për aktivizim. Mijëra panele diellore tani janë vendosur në një rezervuar në perëndim të Londrës, me shpresën se ato do të ndihmojnë në uljen e kostos së lartë të energjisë që kompania e ujit “Thames” duhet të paguajë për aktivitetet e saj.

Kjo platformë gjigande e paneleve diellore, më e madhja e këtij lloji në Evropë, ndodhet në perëndim të Londrës, dhe është ndërtuar në pronën e kompanisë më të madhe të ujit në Britani, “Thames Water”.

Ajo pakëson ndotjen e karbonit të çliruar nga kompania, por qëllimi kryesor i saj është reduktimi i faturave masive të energjisë që kjo kompani e ujit duhet të paguajë për veprimtarinë e saj.

Kompanitë e ujit janë ndër përdoruesit më të mëdhenj të energjisë. Rezervuari është më i madh se 80 fusha futbolli dhe në gjithë këtë hapësirë janë instaluar panele diellore.

Rezervuari është 18 metra i thellë, duke e bërë këtë platfomën më të madhe në botë të prodhimit të energjisë diellore në ujëra të thella.

Pavarësisht madhësisë së saj, ky central mund të mbulojë vetëm 20 përqind të nevojave energjitike të kompanisë së ujit.

Angus Berry, i kompanisë “Thames Water” thotë:

"Kërkesat tona vjetore për energji elektrike arrijnë në rreth 144 milionë dollarë për furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza. Kjo është një kosto e konsiderueshme dhe kostoja më e madhe e ofrimit të shërbimit për klientët tanë".

Ky central duhet të ndërtohet me shpejtësi për shkak se subvencionet që qeveria britanike u jep kompanive që prodhojnë energji të gjelbër skadojnë më 31 mars 2016.

Kostoja e ndërtimit pas kësaj date do të rritet dhe kompania “Lightsource” është në garë me kohën për ta përfunduar projektin para datës 31 mars.

Vendi ekzistues nuk do të jetë në gjendje të përballojë një kapacitet më të madh të prodhimit të energjisë elektrike, thotë Nick Boyle, drejtues i kompanisë “Lightsource”.

"Plani fillestar ishte ndërtimi i një centrali më të madh, por faktor kufizues ishte kapaciteti i sistemit. Nga këndvështrimi ynë, padyshim që sa më i madh që të jetë centrali aq më mirë, por kjo ishte e pamundur për shkak të kufizimeve në infrastrukturën ekzistuese".

Në këtë sipërfaqe uji janë instaluar më shumë se 23 mijë panele diellore.

Ato do të prodhojnë 6.3 megavat gjatë funksionimit të plotë të tyre, dhe 5.8 milionë kilovat në orë në vitin e parë. Kompania “Thames Water” thotë se kjo është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat energjetike vjetore të 1.800 shtëpive.

Por, panelet diellore nuk munden të konservojnë energjinë, prandaj “Thames Water” nuk do mund të mbështetet vetëm tek kjo formë e energjisë për të plotësuar nevojat e saj.

Megjithëse kompania “Thames Water” është pronare e rezervuarit dhe e tokës rreth tij, ajo nuk është pronare e vetë platformës diellore.

Kompania “Lightsource” e ka ndërtuar centralin me një kosto prej 93.5 milionë dollarësh dhe është përgjegjëse për mirëmbajtjen e strukturës në njëzet e pesë vitet e ardhshme.

Për shkak të rritjes së nevojave për energji elektrike kompania Thames Water nuk mund të mbështetet vetëm në energjinë diellore.

Panelet diellore mund të pajisen me bateri të reja, të cilat mund të konservojnë energjinë gjatë natës edhe kur nuk ka dritë të mjaftueshme nga dielli për të prodhuar energji. Prandaj, kompanitë si “Thames Water” mund të fillojnë përpjekjet për të prodhuar energji të ripërtëritshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet e tyre. Megjithatë, kompania Thames Water nuk ka plane për të filluar së shpejti një përpjekje të tillë për shkak të kostos ekonomike.

Të paktën për një të ardhme të afërt, marrëveshja njëzet e pesë vjeçare me kompaninë Lightsource, mund të shmangë disa nga pasojat e ndryshimeve të paparashikueshme të tregut të energjisë dhe i ofron kompanisë Thames Water çmim më të qëndrueshëm të energjisë.

Megjithatë, e ardhmja e projekteve të tilla të energjisë së gjelbër vazhdon të jetë e paqartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG