Lidhje

Kompozitori shqiptar Aleksandër Lalo me një koncert të ri simfonik


Kompozitori shqiptar Aleksandër Lalo me një koncert të ri simfonik

Kompozitori shqiptar Aleksandër Lalo me një koncert të ri simfonik

Kompozitori i mirënjohur shqiptar Aleksandër Lalo është duke krijuar në Tiranë pjesë për një koncert të ri simfonik. Ai punon çdo ditë me pasion për të krijuar dhe përsosur skicat e tij simfonike. Programi, që pritet të luhet nga orkestra simfonike e radiotelevizionit publik, përmban 7 skica simfonike për rivierën shqiptare kushtuar fshatrave dhe natyrës andej nga Llogaraja deri në Sarandë. Në program ai ka futur një suitë me motive shkodrane, katër pjesë me motive lumjane, pjesë për big bendin shqiptar dhe disa melodi filmi për trompë dhe orkestër.

“Më kujtohet një shprehje që na ka thënë profesori ynë Çesk Zadeja, kur ishim studentë: Kur e ndjeni veten bosh dhe nuk gjeni se çfarë të thoni diçka të re në art, atëherë ktheni kokën prapa dhe shikoni folklorin. Vërtet ne kemi një folklor të shkëlqyer, si gjithë kombet e tjera. Nuk është fjala se unë e kam ndjerë veten bosh këto 20 vjet, pork am dashur të kërkoj pika referimi andej këtej, dhe e vetmja pikë ku mund të bazohesha tamam dhe që e ndjeja veten komod ishte folklori” - thotë artisti.

Pjesët e këtij koncerti janë pothuaj të gjithë me dedikim. Kompozitori ia kushton “Dasma Shkodrane” muzikantit Gaspër Çurçia, një pjesë tjetër ia kushton muzikantit Nazmi Lishi, dhe më tej veprat u kushtohen famijes dhe prindërve të tij. Zoti Lalo thotë se gjatë kompozimit të këtyre pjesëve simfonike është mbështetur fuqishëm tek folklori shqiptar.

“Sipas mendimit tim, vlera kombëtare në muzikë nuk është thjesht mbështetja tek folklori. Nëse një autor, një muzikant, një shkrimtar, një piktor është i veçantë dhe i papërsëritshëm ai është vetvetiu kombëtar. Nëse nuk është i përsëritshëm në llojin e vet, nëse nuk dëgjohen tinguj të tjerë si këto që bën ky autor, atëherë vetvetiu kjo vepër është kombëtare, për arësye se vetë personi i takon një kombi të caktuar” - thotë ai.

Aleksandër Lalo njihet se ka zbuluar dhe mbështetur dhjetëra artiste të rinj të talentuar. Tani edhe ata janë bërë të njohur dhe përfaqësues të muzikës shqiptare njëlloj si profesori i tyre.

“Unë nuk jam nihilist që të hedh poshtë brezin e ri. Të rinjtë janë një brez që kanë shumë informacion, dhe dinë shumë gjëra që ndoshta brezi jonë nuk i di. Neve dimë ca gjëra që këta nuk i dinë. E mira është që neve duhet të shkojmë në një të mesme që të marrim e të japim nga të dy palët. Nga ne së paku ata mund të marrin përvojën praktike, sepse ne kemi patur një fat të madh që veprat i shkruanim dhe menjëherë ato luheshin në skenë. Në përgjithësi gjithë vepra jonë është luajtur, ndaj kemi shumë përvojë në orkestrime dhe organizime” - thotë artisti i njohur.

Kompozitori i shkruan partiturat e reja me laps plumbi dhe duke fshirë notat me gomë, para një piano akustike konduktore. Ai po i hedh në sistem digjital veprat muzikore të gjithë jetës së tij, dhe thotë se ka ikur koha e kopjimit të partiturave me dorë. Zoti Lalo thotë se tani kanë dalë kompjutera dhe programe digjitale ku janë futur shumë të rinj, por tingulli dhe frymëzimi origjinal nuk kanë të bëjnë me teknologjinë, prandaj i këshillon autorët e rinj të krijojnë me dëshirë e pasion dhe jo me sforcot e mbijetesës.

“Një pjesë e artistëve të rinj e të talentuar që ka Shqipëria jetojnë me këtë punë. Ndonjërit prej tyre i kam thënë: 99 për qind punë muzikore bëjeni për të mbijetuar, por ama një krijim bëjeni për qejf, që të tregoni kush jeni, të nxirrni vlerat tuaja. Sepse ata kanë energji më të mëdha se sa ato punë që po shohim që bëjnë, të cilat shpesh janë rutinore ndoshta” - thotë ai.

Aleksandër Lalo është një nga kompozitorët më të mirë dhe më prodhimtarë të Shqipërisë. Ai ka krijuar 44 melodi filmash artistikë të luajtura nga orkestra simfonike, pjesë muzikë holli e vodevile, pjesë për banda dhe oktete dhe mbi 800 këngë të muzikës së lehtë, ndërkohë që ka drejtuar festivale dhe qindra koncerteve muzikore në kryeqytet, në Kukës dhe në të gjithë Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG