Lidhje

Shtyhet sërish konstituimi i komunave veriore të Kosovës


Mospajtimet për mënyrën e konstituimit të komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe bënë që seancat përuruese të shtyhen sërish.

Qeveria e Kosovës njofton se kjo pritet të ndodhë të shtunën dhe se ky vendim është marrë në bisedimet e grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që po vazhdojnë të diskutojnë në Bruksel.

Shtyhet konstituimi i komunave ne veri te Kosoves
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00


Më herët gjatë ditës qeveria e Kosovës njoftoi se seancat ishin shtyrë për në orët e mbrëmjes, ndërsa paralajmëroi që “nëse ndonjë nga kryetarët e zgjedhur apo anëtarët e kuvendeve komunale veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, atëherë Qeveria e Kosovës do të ndërmerr veprimet konkrete ligjore për ti shpallur ato jolegale”.

Në një rast të tillë veriu do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja.

Kryetarët e zgjedhur të komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, konfirmuan shtyrjen në pritje të rezultateve të bisedimeve në Bruksel. Por, kryetari i zgjedhur i komunës së veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiç, tha se nuk do të heqin dorë nga synimi që procesi të jetë i paanshëm ndaj statusit politik të Kosovës, përkatësisht që në dokumentet e punës të mos ketë as simbole shtetërore të Kosovës.

Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se do të lëshojmë pe para trysnisë së Prishtinës dhe që do të pranojmë të punojmë sipas ligjeve të së ashtuquajturit shtet të Kosovës, por duam t’u japim mundësi bisedimeve që të gjejnë një zgjidhje për respektimin e marrëveshjes”, tha ai.

Deputetët shqiptarë dhe ata të komunitetit boshnjak thanë se do të bojkotojnë seancat, nëse ato nuk organizohen në bazë të ligjeve të Kosovës që nënkupton që dokumentet e punës të kenë simbolet e saj.

Mbledhjet e para ishin planifikuar të mbaheshin që më 24 dhjetor, por ato u shtynë për shkak të siç është thënë parregullsive në proceset përgatitore të tyre. Ftesat që në dhjetor u ishin dërguar këshilltarëve komunal kishin simbole të strukturave paralele që duhet të shuhen me krijimin e komunave të reja dhe kjo ishte cilësuar e papranueshme nga autoritetet në Kosovë.

Shumicën në katër komunat veriore të Kosovës e ka fituar Nisma qytetare serbe, një subjekt politik i mbështetur nga Beogradi, i cili u pajtua me përfshirjen e atyre komunave në zgjedhjet komunale të Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG