Lidhje

Komunikimi midis nxënësve, çelës për sigurinë në shkolla

  • Carol Pearson

Këtu në Shtetet e Bashkuara ka patur më tepër se 50 raste sulmesh me armë zjarri në shkolla, që nga viti 1996. Pothuajse të gjithë autorët e sulmeve kanë qenë nxënës ose ish nxënës të këtyre shkollave. Mësues, drejtues administrativë dhe nxënës të tjerë kanë humbur jetën në ato raste dhune, të cilat kanë tronditur njerëzit në mbarë vendin.

Fatkeqësisht, kjo është një pamje e njohur për shumë amerikanë. Nxënës që përqafojnë njëri tjetrin jashtë shkollës. Viktima që dërgohen me urgjencë në spital. Shirita të policisë që rrethojnë shkollën. Dhe një njoftim i zymtë.

“Rreth orës tetë të mëngjesit të sotëm, një nga kujdestarët e Shkollës së Mesme Weston vuri re një nxënës 15 vjeçar të hynte në shkollë me një pushkë gjahu.”

Rreth fundit të muajit shkurt, ndodhi në qytezën Chardon, të Ohajos.

Personi i armatosur vrau tre nxënës. I dyshuari ishte17 vjeçari T.J. Lane.

Psikologë, policë dhe arsimtarë janë përpjekur të zbulojnë karakteristika të përbashkëta midis autorëve. Psikologia Amanda Nickerson drejton Qendrën për Parandalimin e Keqtrajtimeve dhe Dhunës në Shkolla në Universitetin e Bafalos. Ajo thotë se nuk ekziston ndonjë profil i përbashkët midis tyre.

Një studim i Shërbimit Sekret amerikan arriti në përfundimin se autorët e sulmeve me armë zjarri në shkolla nuki kishin pothuajse asgjë të përbashkët, përveç faktit që shumica ishin djem, zakonisht nxënës të atyre shkollave dhe që shumica vepronin vetëm.

“Tre të katërtat e tyre kanë thënë se ndiheshin të keqtrajtuar psikologjikisht dhe të izoluar nga moshatarët e tyre. Pas ngjarjeve, shpesh kemi zbuluar se ata ishin në depresion ose me mendime vetëvrasëse. Gjithashtu ata kanë ndjerë një element kryesor stresi ose një ndjesi humbjeje që mund të ketë shkaktuar atë që ndodhi.”

Edhe sëmundjet mendore kanë një rol të rëndësishëm.

“Në rastet e personave që ushtrojnë dhunë, kemi vënë re se shpesh autorët janë me probleme mendore.”

Por ndihma mund të jetë e vështirë. War Eagle Eastwood thotë se i biri thoshte se dëgjonte zëra dhe dukej i trazuar, pak kohë para se të merrte me vete një armë të fuqishme në një shkollë të Kolorados.

“Ai u mundua të kërkonte ndihmë dhe tha se shkoi në disa vende, por ata i thanë se ti nuk ke para për të paguar dhe ne nuk mund të ndihmojmë mbi këtë problem.”

Psikologia Nickerson thotë se vëmendja ndaj problemit është parandalimi më i mirë.

“Në shumicën e rasteve nuk është një veprim i rastësishëm. Ka patur prova që tregonin se ishin bërë planifikime apo se njerëz të tjerë i dinin këto plane”.

Studimi i Shërbimit Sekret amerikan zbuloi se zakonisht një apo disa nxënës të tjerë kishin qenë në dijeni për planin e autorit të sulmit, para se dhuna të ndodhte, por ata nuk u treguan autoriteteve.

Sulmet me armë zjarri në shkolla janë relativisht të rralla, dhe kjo është arsyeja që ato tërheqin vëmendje të madhe nga media. Shërbimi Sekret përllogarit se mundësia që një nxënës të humbë jetën gjatë një sulmi të tillë është një në një milion. Por kjo e dhënë nuk mund të ngushëllojë familjet që kanë humbur njerëz të dashur, diku ku ata duhet të ishin të sigurtë.

XS
SM
MD
LG