Lidhje

Shqipëri: Komuniteti ndërkombëtar, thirrje për përfundim të shpejtë të reformës zgjedhore

  • Armand Mero

Në Tiranë komuniteti ndërkombëtar përsëriti sot thirrjen e tij për nevojën e perfundimit pa vonëse të reformës zgjedhore. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u shpreh se asgjë nuk duhet të lejohet që të sabotojë zgjedhjet e ardhshme të 2013. E njëjta konsideratë u bë edhe nga ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth sipas të cilit zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë.

Pak kohë më parë, mandati i komisionit të reformës zgjedhore u shty edhe për dy muaj të tjerë deri në fund të prillit. Tani duket se trysnia ndërkombëtare është përqëndruar pikërisht për të evituar një shtyrje tjetër. Javën e shkuar gjatë vizitës në Tiranë drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin europian Stefano Sannino i kushtoi refromës zgjedhore një vëmendje të vecantë. Në Tiranë sot ambasadori amerikan Alexandër Arvizu dhe ai i Osbe-së Eugen Wollfarth i mëshuan thirrjes për nevojën e përfundimit në kohë të reformës.

“Eshtë shumë e rëndësishme, nga pikëpamja e SHBA që të gjitha palët të jenë të angazhuara jo vetëm për përmbajtjen dhe substancën por të kenë edhe një sens urgjence në trajtimin e rekomandimeve – tha ambasadori Arvizu duke shtuar se “Eshtë e rëndësishme që të mos bëhet asgjë që do të sabotinte zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2013. Eshtë e rëndësishme të mos ketë vonesa dhe situata ku reforma i lihet momentit të fundit”.

Edhe ambasadori i Osbe-së Wollfarth theksoi se kanë mbetur tanimë për tu diskutuar disa cëhstje të rëndësishme prandaj puna e komisionit duhet të intensifikohet ndërsa i mëshoi dhe nevojës që produkti përfundimtar të jetë cilësor

“Le të jemi të qartë – tha ai - një rezultat cilësor është më i rëndësishëm se çdo proces i miratuar me nxitim. Zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë” deklaroi ambasadori i Osbe-se.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG