Lidhje

Koncert për nder të Majkëll Xheksonit në Angli


Koncert për nder të Majkëll Xheksonit në Angli
Koncert për nder të Majkëll Xheksonit në Angli

Ideja ishte errësuar disi nga fakti që aktiviteti mbahej në të njëjtën kohë kur zhvillohet gjyqi i mjekut të Xheksonit në Los Anxhelos.

Artistë të mëdhenj, këngëtarë të muzikës soul dhe tre breza të familjes së Majkëll Xheksonit, përfshirë fëmijët e tij, nderuan mbretin e muzikës pop në një koncert dje në Kardif, Uells duke u kërkuar admiruesve që të mbajnë në mendje muzikën e tij, jo vdekjen.

Atmosfera para koncertit “Majkëll forever”, u errësua disi nga gjyqi në Los Angeles i mjekut të Xheksonit, si edhe u shoqërua me kritika të admiruesve, shitje të pakta biletash dhe mosmarrëveshje brenda familjes Xhekson.

Por në momentin që filloi koncerti katër orësh, gjenialiteti muzikor i Xheksonit dhe nderimet e ngrohta të miqve dhe familjes ia ndryshuan tonin mbrëmjes.

“Jemi shumë të lumtur që jemi sot këtu në këtë mbrëmje të veçantë për nder të babait tonë”, tha vajza 13 vjeçare e Xheksonit Paris që doli në skenë për të përshëndetur me vëllezërit e saj Prince, 14 vjeç dhe 9 vjeçarin Majkëll Xhozef Jr, që njihet me emrin Blanket.

Veshjet e Paris, Princ dhe Blanket të kujtonin stilin e famshëm të të atit, veçanërisht Paris xhaketa e së cilës ishte një kopje e asaj që kishte veshur Majkëll Xhekson për videon e muzikës së “Thriller”.

Blanket ishte pak i drojtur por dy fëmijët e tjerë rrezatonin vetëbesim nën dritat e skenës.

Në skenën që kishte formën e një doreze gjigande, artistët mes së cilëve Kristina Aguijera, Leona Ljuis, Gledis Najt dhe Si Lo Grin interpretuan këngë nga gjithë karriera e Xheksonit, që nga fëmijëria me grupin Xhekson 5 e deri tek albumet madhështore solo, si Thriller.

50 mijë spektatorët në stadiumin Milenium të Kardifit duartrokitën me entuziazëm dhe brohoritën kur vëllezërit e Xheksonit, Marlon, Tito dhe Xheki së bashku me bandën britanike JLS interpretuan në skenë “Blame it on the Boogie”.

Leona Ljuis këndoi “I’ll be there”, Bionce interpretoi “I want to be where you are” dhe Xhejmi Foks këndoi “Rock with you”.

Xhekson vdiq në moshën 50 vjeçare në qershor të vitit 2009. Koncerti e ndau familjen Xhekson dhe admiruesit e tij. Tre vëllezërit, motra La Toya dhe grupi 3T i përbërë nga tre nipa të Majkëllit kënduan në koncert dhe mamaja Katherine ishte e pranishme. Por vëllezërit e Majkëllit, Xhermein dhe Rendi dhe motra Xhenet u distancuan duke thënë se nuk ishte ide e mirë që koncerti mbahej në një kohë me gjyqin e mjekut të tij. Edhe disa grupe admiruesish e kritikuan koncertin për shkak të çmimit të biletës dhe vendit ku u mbajt, rreth 240 km në perëndim të Londrës. Por ata që ishin të pranishëm thanë se koncerti ishte kontrasti i duhur ndaj atmosferës së zymtë të sallës së gjyqit në Los Angeles.


XS
SM
MD
LG