Lidhje

Konferenca e Parisit për Libinë, marrin pjesë zyrtarë nga rreth 50 vende

  • David Gollast

Konferenca e Parisit për Libinë, marrin pjesë zyrtarë nga rreth 50 vende

Konferenca e Parisit për Libinë, marrin pjesë zyrtarë nga rreth 50 vende

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dhe zyrtarë nga rreth 50 vende të tjera diskutuan në Paris për të ardhmen e Libisë pas regjimit të Gadafit.

Franca e kërkoi organizimin e këtij takimi qysh një javë më parë ndërsa forcat e Këshillit Kombëtar Kalimtar përparuan në Tripoli. Tani, me regjimin e Moamar Gadafit pranë fundit, konferenca do të përqëndrohet në mënyrat për të ndihmuar Libinë të krijojë një rend të qëndrueshëm demokratik.
Lista e pjesëmarrësve në konferencën e titulluar Miqtë e Libisë është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit duke përfshirë vende të rëndësishme si Rusia dhe Kina që nuk e kanë njohur ende Këshillin Kalimtar si autoritetin e ri qeverisës të Libisë.

Sekretarja e Shtetit Klinton, e cila ndërpreu pushimet verore për të marrë pjesë në takim, tha se javët pasardhëse do të jenë kritike për Libinë dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me vendosmëri për të ndihmuar Këshillin Kalimtar. Por ajo shtoi se tranzicioni duhet të udhëhiqet nga vetë libianët.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland tha se fjalimi në konferencë i kreut të Këshillit Kalimtar Kombëtar do të jetë i rëndësishëm:

"Një nga gjërat që presim të dëgjojmë në këtë takim është një raport i Këshillit Kalimtar Kombëtar për të ecur përpara, çfarë kërkon ai nga komuniteti ndërkombëtar – përfshi mënyrën sesi kërkon të punojë me Këshillin e Sigurimit lidhur me rezolutat 1970 dhe 1973 për Libinë”.

Dy rezolutat e Kombeve të Bashkuara vendosën sanksione kundër qeverisë së Moamar Gadafit dhe autorizuan një fushatë ajrore të udhëhequr nga aleanca e Natos, që ndihmoi në rrëzimin e regjimit të Gadafit.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë filluar procesin për çbllokimin e pasurive të ngrira të Libisë përmes Komisionit të Sanksioneve të OKB-së.

Por disa anëtarë të rëndësishëm të Kongresit amerikan kërkojnë që Sekretarja Klinton të mos çbllokojë paratë nëse Këshilli Kalimtar nuk bie dakort të dorëzojë Abdel Baset al-Megrahin, libianin e dënuar për vendosjen e bombës dhe rrëzimin e avionit amerikan PanAm në vitin 1988 mbi Skoci.

Këshilli Kalimtar Kombëtar i Libisë i ka thënë Shteteve të Bashkuara se do ta rishqyrtojë çështjen e Megrahit i cili u kthye në Libi nga Skocia në vitin 2009 mbi baza humanitare, pasi thuhej të ishte në gjendje të rëndë nga kanceri.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Viktoria Nuland tha se Këshilli Kalimtar Kombëtar ka përparësi më urgjente sa çështja Megrahi.

“Ne duhet t’i japim mundësinë Këshillit Kombëtar Kalimtar të kryejë detyrën e parë, të përfundojë punën për largimin e Gadafit dhe të regjimit të tij dhe të fillojë punën për futjen e Libisë në një rrugë demokratike. Ne jemi të kënaqur që ata e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm ta shqyrtojnë kërkesën për Megrahin”.

Një prej çështjeve të takimit të Parisit është ajo e pranisë së trupave paqeruajtëse në Libi.

Ian Martin, këshilltar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për planifikimin e situatave pas konflikteve, thotë se interesi i Këshillit Kombëtar Kalimtar është për këshillë nga jashtë dhe jo trupa.

“Në takimet tona me anëtarët e Këshillit, është bërë e qartë se libianët duan të shmangin dërgimin e forcave ushtarake nga OKB-ja apo vende të tjera në vendin e tyre. Ata janë shumë të interesuar për ndihmë policore për vendosjen e rendit, për kontroll sigurinë publike dhe gradualisht për të krijuar një forcë sigurie që të jetë demokratike”.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se konferenca e Parisit duhet t’i bëjë presion Këshillit Kalimtar të shmangë hakmarrjet ndaj besnikëve të Gadafit, por ndërkohë të nxjerrë përgjegjësinë për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut gjatë viteve të regjimit të Gadafit.

Sarah Leah Whitson, drejtore për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore thotë se njohja politike të Këshillit Kombëtar Kalimtar, shoqërohet me përgjegjësi të mëdha.

“Në radhë të parë ata duhet të shmangin hakmarrjet dhe vrasjet për hakmarrje ndaj besnikëve të Gadafit ose ndaj atyre që mendohet se janë përkrahës të Gadafit. Pasi pa dyshim që ekziston një zemërim i madh që është grumbulluar gjatë muajve të fundit dhe 40 vjetëve të qeverisjes së tij.”

Zonja Whitson thotë se ish udhëheqësi libian dhe ndihmësit e tij kryesorë, që përballen me akuza për krime lufte nga gjykatat ndërkombëtare duhet të trajtohen në bazë të një procesi ligjor ne përputhje me ligjet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG