Lidhje

Konferenca e teknologjisë së sensorëve në Vankuver


Konferenca e teknologjisë së sensorëve në Vankuver
Konferenca e teknologjisë së sensorëve në Vankuver

'Haptics' është një teknologji e re sensorësh që duket se do ta bëjë elektronikën e sotme më tërheqëse. Që nga lojrat elektronike e deri tek muzika tekno – teknologjia “haptics” mund t’i bëjë të gjitha këto më reale.

Për të apasionuarit që kërkojnë t’u ngrihet adrenalina përmes garës me makina pa rrezikuar jetën, lojrat elektronike tani ofrojnë garën e ëndrrave.

Në këtë ekspozitë të veçantë të garave elektronike me makina, shoferët ndjejnë të njëjtin sensacion si pilotët profesionistë të lidhur pas rrotave.

Ndërsa kjo makinë shpejton, përplaset, bën kthesa dhe frenon, lojtari ulet në një karrige që simulon sensacione reale.

Teknologjia e njohur si “haptics”, po reklamohet në Konferencën e Teknikave Interaktive në Vankuver të Kanadasë.

"Split Second është një lojë e këndshme. Është mahnitëse, me gjithë efektet e përplasjeve. Dhe teknologjia haptics i shton një tjetër dimension. Mund të ndjesh efektin e veprimit që bën”, thotë Ladislav Kavan, një shkencëtar në Studiot Interaktive të Disney-it.

Por teknologjia haptics mund të përdoret edhe në fusha të tjera.

Një ekip nga Japonia ka krijuar një mënyrë për gratë që nuk kanë patur shtatëzani të suksesshme të provojnë ndjesinë e foshnjes në bark për nëntë muaj.

Pajisja quhet Mommy Tummy.

Ndërsa vizitorët – përfshirë burrat – provojnë këtë pajisje që i ngjan përparëses, ajo fillon të zgjerohet dhe të bëhet më e rëndë.

Ndërsa përparësja arrin peshën maksimale, vizitorët inkurajohen të ulen për të marrë objekte nga toka.

Njerëzit që nuk kanë lindur ndonjëherë fillojnë të kuptojnë sfidat e shtatëzanisë, duke patur një vlerësim tjetër për gratë shtatëzëna.

"Ky sistem ndihmon të kuptosh ndjenjat e një gruaje shtatëzënë edhe nëse je burrë. Gratë shtatëzëna kanë shumë vështirësi deri sa lindin. Megjithatë, gjendja e një gruaje shtatëzënë është e vështirë të kuptohet nga njerëzit rreth tyre, si burri apo shoqëria. Për këtë arsye zhvilluam këtë system që t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë vështirësitë e të qënurit shtatëzënë," shpjegon Takayuki Kosaka nga Instituti Kanagawa i Teknologjisë.

Çdo vit kjo konferencë mblesh së bashku inovatorët më të sofistikuar në grafikat kompjuterike dhe teknikat interaktive nga mbarë bota.

Mbi 156 organizata paraqesin arritjet e fundit për gati 16,000 ekspertë lojrash, regjisorë filmash, akademikë dhe studentë.

Studentët e universitetit të njohur MIT kanë krijuar një pajisje të teknologjisë së lartë të njohur si Recompose që është në gjendje të paraqesë në formë tre-dimensionale, imazhe që normalisht shfaqen në sipërfaqe të sheshtë.

Teknologjia i lejon njerëzit të manipulojnë pjesë të veçanta në pajisje thjesht duke lëvizur duart. Procesi është mahnitës, por ka gjithashtu disa aplikime praktike.

Anthony Devincenzi, është student me Media Lab të universitetit MIT.

“Po të përdorim këtë teknologji me Google Earth njerëzit do të jenë në gjendje të eksplorojnë pjesë të ndryshme të botës dhe të shohin lartësi të ndryshme dhe pjesë të qyteteve. Kjo është një experiencë e mirë për njerëzit që janë mësuar të përdorin monitorin e sheshtë për të parë Google Earth."

Një grup studentësh nga Universiteti i Tokios për Dizenjim kanë krijuar një pajisje që i lejon ata të jetojnë ëndrrën e të qënurit DJ.

Ata e quajnë shpikjen e tyre PocoPoco.

Secili instrument me formën e një kutie ka 16 pjesë cilindrike që jep ndjenjën e prekjes, kështu që DJ mund të ndjejë muzikën që luhet.

Si shumë të tjerë, ky ekip është i vendosur të krijojë shpikjen më të madhe të rradhës në teknologji dhe mbi të gjitha, po kënaqen në këtë aventurë.

XS
SM
MD
LG