Lidhje

Konferencë ndërkombëtare në Tiranë për vlerësimin e demokracisë shqiptare


Konferencë ndërkombëtare në Tiranë për vlerësimin e demokracisë shqiptare
Konferencë ndërkombëtare në Tiranë për vlerësimin e demokracisë shqiptare

Instituti për Studime Ndërkombëtare po zhvillon në Tirane një konferencë shkencore mbi zhvillimin e demokracisë shqiptare gjatë 20 viteve në tranzicionit. Studiues të njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Bernd Fisher dhe Nikolla Pano folën në seancën e parë mbi ngjarjet e këtyre dy dekadave dhe problemet aktuale te institucioneve demokratike shqiptare.

Historiani Bernd Fisher, një ekspert i njohur i çështjeve shqiptare nga Universiteti i Indianës në Sh.B.A. thotë se besimi i qytetarëve tek institucionet shtetërore e demokratike është ende shumë i ulët. Ai tha se shumë nga këto probleme vijnë nga natyra e partive politike, ku drejtuesit janë autoritarë, jotolerantë dhe është shumë e vështirë që të gjendet kompromisi mes tyre.

"Administrata shtetërore është e mbushur plot me militantë partiakë, të cilët qëndrojnë gjithë kohën të lidhur me partitë dhe ato diktojnë qëndrimet e tyre. Gjëja më e thjeshtë që mund të kërkohet është depolitizimi i administratës shtetërore" - tha zoti Fisher.

Sipas tij, çështja e zbatimit të ligjit është po ashtu një çështje kritike, veçanërisht sa u takon policisë dhe gjykatave, ku ende ka ndikime politike. Studiuesi Fisher tha se ezistojnë probleme me lirinë e shtypit dhe kjo pengon demokracinë. "Korrupsioni është i pranishëm dhe shtypi është i mbushur plot me raste që hetohen. Krimi i organizuar mendohet se ruan lidhje me nivele të ndryshme të administratës shtetërore. Shqipëra është ende në hapat e para të ndërtimit të shërbimeve sociale, ndonëse kanë kaluar 20 vjet demokraci" - tha zoti Fisher.

Ndërsa Nikolla Pano, studiues i njohur nga Universiteti i Illinoisit në Sh.B.A., tha se qytetarët shqiptarë janë të shqetësuar dhe ndjekin me skepticizëm zhvillimet politike. Sipas tij, pjesëmarrja e qytetarëve në votime është shumë e ulët - rreth 48 për qind, po aq njerëz mendojnë se demokracia nuk po zhvillohet, perceptimi i korrupsionit është shumë i lartë - mbi 70 për qind.

"Ka një mori raportesh dhe studimesh që flasin për problemet e Shqipërisë në fushën e drejtësisë, në fushën politike: Korrpsioni, pengesat politike, pavarësia e gjykatave, liria e shtypit, diskriminimi gjinor, integriteti i procesit zgjedhor, trajtimi i pakicave kombëtare, krimi i organizuar - lista e problemeve është shumë e gjatë - tha zoti Pano. - Për të gjitha këto çështje është arritur shumë, por ka ende shumë punë për të bërë".

Konferenca ndërkombëtare për rivlerësimin e demoracisë dhe shtetit shqiptar pas 20 vitesh në tranzicion u organizua nga Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe në të po marrin pjesë në numër studiuesish dhe analistësh të çështjeve shqiptare dhe rajonale. Ata vijnë nga Europa, Sh.B.A. e Ballkani dhe po shkëmbejnë pikëpamje me dobi të përbashkët rajonale.

XS
SM
MD
LG