Lidhje

Annan: Trupat siriane po intensifikojnë arrestimet dhe torturat mes rebelëve

  • Zëri Amerikës

I dërguari ndërkombëtar Kofi Annan thotë se trupat siriane duket se po intensifikojnë arrestimet në masë dhe torturat në komunitetet e rebelëve. Diplomatët thonë se zoti Annan i bëri këto komente sot në Këshillin e Sigurimit përmes një video konference nga Gjenerva. Më vonë ai i tha gazetarëve se se Kombet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë Sirinë të shkasë në luftë civile.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se rebelët sirianë po përdorin gjithmonë e më shumë taktika guerrilase në përpjekjet e tyre për të rrëzuar presidentin autokrat Bashar al-Assad.

Shefi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar Jakob Kellenberger tha sot se rebelët kanë filluar të ndërmarrin sulme guerrilase gjatë javëve të fundit, pas përfshirjes në luftime të ashpra, në fillim të këtij viti, me forcat qeveritare të armatosura rëndë.

Duke folur edhe ai nga Gjeneva e Zvicrës, zoti Kellenberger tha gjithashtu se organizimi i përmirësuar i rebelëve do të thotë se betejat e fundit në disa pjesë të Sirisë plotësojnë kushtet për përkufizimin si një "konflikt i armatosur jo ndërkombëtar", apo luftë civile. Aktivistët sirianë për të drejtat e njeriut thanë se forcat e sigurisë vranë sot të paktën tre persona gjatë luftimeve në vend. Numri i viktimave nuk mund të konfirmohet nga burime të pavarura.

XS
SM
MD
LG