Lidhje

Betejat në Kongres dhe axhenda legjislative


Ndërkohë që nuk ka një rrugë të qartë për të shmangur mbylljen e qeverisë amerikane më 1 tetor, udhëheqësit e Kongresit po përgatiten për betejën e ardhshme: ngritjen e nivelit të tavanit për borxhin publik në mes të tetorit. Beteja partiake në Kongres mund të sjellë probleme ekonomike dhe, duke monopolizuar kohën dhe energjitë e ligjvënësve, po nxjerr jashtë vëmendjes tema të tjera.

Ligjvënësi demokrat Jared Polis thotë se Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët duhet të punojë për të reformuar politikat e imigracionit dhe jo të merret me zënka lidhur me programin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.

“Ky organ nuk ka shpenzuar asnjë minutë të debatit për reformat e imigracionit. Shumë kohë po harxhohet së koti. Duhet të veprojmë për tema shumë të rëndësishme kombëtare”.

Irritim shprehin edhe republikanët. Senatori Chuck Grassley thotë se ka një numër temash që kërkojnë vëmendje nga republikanët.

“Reforma e politikave fiskale. Një amendament kushtetues për të balancuar buxhetin. Një ligj i ri për ekonomitë bujqësore”.

Por ndërkohë që Kongresi është përfshirë në beteja partiake për të mos lejuar mbylljen e qeverisë, një tjetër betejë afron. Dje, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se republikanët kanë caktuar kushte për ngritjen e tavanit të borxhit.

“Do të propozojmë një plan që kushtëzon rritjen e tavanit të borxhit me shkurtime në shpenzime dhe reforma për rritjen ekonomike”.

Nëse nuk rritet tavani i borxhit mund të çojë në mospagimin e kësteve të borxhit dhe një rënie në statusin e Amerikës në tregun financiar. Komentet e zotit Boehner u kritikuan menjëherë nga Senatori demokrat Richard Durbin:

“Nëse republikanët nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre dhe nuk miratojmë rritjen e tavanit të borxhit, viktimat e këtij akti do të jenë amerikanët”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney ritheksoi se Presidenti Obama nuk pranon të negociojë mbi rritjen e tavanit të borxhit.

Situata me pak fjalë mund të përshkruhet në këtë mënyrë: Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë janë të përqëndruara në dy beteja fiskale që do të vazhdojnë edhe gjatë muajit të ardhshëm. Edhe nëse shmanget mbyllja e qeverisë, qeverisë federale do t’i jepet autoriteti për shpenzimet vetëm për 2-3 muaj, duke përgatitur kushtet për një tjetër betejë partiake para përfundimit të vitit.

Analisti politik Stuart Rothenberg thotë se këto debate zhvendosin vëmendjen nga çdo temë tjetër:

“Kongresi e ka pasur të vështirë gjatë viteve të fundit të rrisë tavanin e borxhit, të zgjidhë problemet me buxhetin dhe shpenzimet dhe për të mbajtur në funksionim qeverinë. E gjithë kjo do të sjellë një bllokim të axhendës legjislative”.

Një ndër viktimat është reforma e imigracionit. Nëse synohet arritja e suksesit në reformën e imigracionit, Kongresi duhet të veprojë këtë vit mbi këtë temë. Praktika ka treguar se ligjvënësit ngurojnë të votojnë për tema të nxehta politike në prag të zgjedhjeve për Kongres, të cilat do të zhvillohen në fund të vitit 2014.

Aktivisti për reformat e imigracionit Frank Sharry kërkon veprime të menjëhershme:

“Është me rëndësi kritike për Dhomën e Përfaqësuesve që të fillojë të merret me këtë çështje. Është me rëndësi kritike të shohim hapa konkretë që këtë vit”.

Por ai shton se këtu bëhet fjalë më tepër për vullnet politik se sa mungesë kohe. Koha mjafton për t’i zgjidhur këto probleme nëse ligjvënësit tregojnë vullnetin e duhur, thotë ai.

Për momentin gjithë vëmendja është përqëndruar tek Senati i cili pritet të miratojë një projekt-ligj të përkohëshëm për shpenzimet federale, duke përfshirë fonde për programin e kujdesit shëndetësor. Më pas dokumenti i kthehet Dhomës së Përfaqësuesve që më parë votoi për të bllokuar fondet për programin shëndetësor. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner ka shprehur besimin se qeveria nuk do të mbyllet me 1 tetor, por nuk pranoi të jepte parashikime se si do të realizohet kjo.
XS
SM
MD
LG