Lidhje

SHBA: Marrëveshja e Kongresit, sfida fiskale të pazgjidhura


Marrëveshja ndërpartiake që rihapi qeverinë federale dhe shmangu mospagimin e detyrimeve financiare nga ana e Shteteve të Bashkuara eliminoi kërcënimin e menjëhershëm të një katastrofe fiskale, por la të pazgjidhura sfidat fiskale afat-gjata të Amerikës. Ligjvënës të të dyja partive pranojnë se në të ardhmen do të zhvillohen beteja të ashpra partiake mbi shpenzimet, taksat dhe reformat qeveritare.

Së pari lajmi i mirë: Shtetet e Bashkuara shmangën një katastrofë ekonomike. Por kjo shmangie do të jetë e përkohshme. Senatori demokrat, Mark Warner vuri në dukje se marrëveshja e së mërkurës rifillon shpenzimet qeveritare dhe zgjat kufirin huamarrës të vendit vetëm për pak muaj.

“Pas 90 ditësh qeveria mund të mbetet përsëri pa fonde. Pas 113 ditësh, kufiri i borxhit mund të duhet të rritet përsëri”.

Deri atëhere, një grup ligjvënësish nga të dyja dhomat e Kongresit do të takohet për të hartuar një marrëveshje buxhetore dhe për t’u përpjekur të eliminojë luhatjet afatgjata fiskale të Shteteve të Bashkuara.

Megjithëse ligjvënësit e të dyja partive vlerësuan lart marrëveshjen e arritur të mërkurën, ata vepruan me shpejtësi për të bërë të qarta përparësitë për të ardhmen. Senatori republikan, Mitch McConnell u zotua të luftojë për vazhdimin e shkurtimeve automatike të shpenzimeve, që hynë në fuqi në fillim të vitit.

“Uashingtoni në fakt mund të shkurtojë shpenzimet. Për herë të parë që nga lufta e Koresë, shpenzimet qeveritare kanë rënë për dy vjet me radhë. Dhe ne nuk do të zbrapsemi nga kjo marrëveshje”.

Marrëveshja e së mërkurës mban në fuqi nivelet e tanishme të shpenzimeve deri në janar, kur hyjnë në fuqi shpenzime automatike edhe më të mëdha. Demokratët duan zëvëndësimin e këtyre shpenzimeve me masa të tjera. Ja si u shpreh senatori Warner:

“Shkurtimet automatike ishin aq të thella saqë asnjë grup njerzish të arsyeshëm nuk do t’i kishin lejuar ato. Unë e kuptoj se duhet të shkurtojmë shpenzimet, por ka mënyra të tjera më të mënçura për ta bërë këtë”.

Demokratët ka të ngjarë të kërkojnë nivele më të larta shpenzimesh për arsimin, infrastrukturën dhe përparësi të tjera për programe të brendshme. Disa republikanë duan të përjashtojnë ushtrinë nga shkurtime të mëtejshme buxhetore, por ka të ngjarë të insistojnë në shkurtime edhe më të mëdha në fusha të tjera të buxhetit për të mbajtur shpenzimet e përgjithshme në nivelet e tanishme. Shumë demokratë kërkojnë të ardhura të reja nga taksat, diçka që kundërshtohet thuajse nga të gjithë reublikanët.

Kompromisi do të jetë kyç për një marrëveshje më të madhe buxheti, thotë senatori demokrat, Tim Kaine.

“Nëse do të arrihet një marrëveshje, pa dyshim që duhet të jetë një marrëveshje ndërpartiake. Ne duhet të dëgjojmë njeri-tjetrin, duhet të negociojmë dhe të gjejmë një rrugë të përbashkët”.

Por marrëveshjet ndërpartiake kanë qënë një gjë e rallë në Kongresin amerikan, fakt ky që u pa qartë në ngecjen fiskale që shkaktoi mbylljen e pjesëshme të qeverisë dhe e çoi Amerikën në prag të mos pagimit të detyrimeve financiare. Por marrëveshja e arritur të mërkurën ofron shpresë për të ardhmen , thotë senatorja republikane, Kelly Ayotte, e cila u bëri thirrje kolegëve të saj të bashkohen për të mirën e përbashkët.

“Le të zgjidhin sfidat e mëdha të vendit: borxhin prej 17 trilion dollarësh. Le të miratojmë një buxhet për vendin. Le të vazhdojmë punën, të nxjerrim mësime dhe të punojmë për të mirën e popullit amerikan”.

Pyetja që ngrihet tani është: A do t’u kthehen ligjvënësit prirjeve të tyre të zakonshme partiake apo një frymë e re ndërpartiake do ta vërë Kongresin në lëvizje drejt marrëveshjeve afat-gjatë që do të siguronte të ardhmen fiskale të Amerikës?
XS
SM
MD
LG