Lidhje

Votimi për ligjin e imigracionit


Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë prezantuar një peticion në përpjekje për të detyruar një votim mbi projekt-ligjin e reformës gjithëpërfshirëse të emigracionit që u miratua në Senat vitin e kaluar. Legjislacioni ka mbetur i bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve që kontrollohet nga republikanët. Udhëheqësit republikanë thonë se preferojnë një qasje hap pas hapi të projekt-ligjit të reformës së emigracionit, duke bërë që edhe demokratët të arrijnë në përfundimin se përpjekjet e tyre sot ka pak shanse të jenë të suksesshme.

Në një mot me erëra të forta dhe rreshje dëbore, të pazakonta për pranverën, disa ligjvënës demokratë dhe aktivistë të të drejtave të imigrantëve, u mblodhën në shkallët e Kongresit në Lindje të Kapitolit para dy ditësh. Ligjvënësi demokrat Javier Becerra tha se asgjë nuk mund t’i ndalojë ata t’i kërkojnë kreut republikan të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner për të lejuar një votim mbi reformën e imigracionit:

“As, shiu, as akulli dhe as bora”

Më vonë, demokratët bënë një manovër procedurale në Dhomën e Përfaqësuesve në përpjekje për të detyruar një votim për paketën e imigracionit. Drejtuesit republikan kanë thënë se nuk janë duke planifikuar një votë, pjesërisht, për shkak se nuk kanë besim se presidenti Barack Obama do të zbatojë ligjet e imigracionit. Njëri pas tjetrit disa anëtarë demokrat kanë kërkuar nga republikanët që të lejojnë një votim mbi emigracionin.

Përfaqësuesi Demokrat Joaquin Castro pranoi për Zërin e Amerikës se i ashtuquajturi peticion për të detyruar një votim nuk ka shumë gjasa për të marrë nënshkrimet e kërkuara të 218 anëtarëve.

"Ju e dini se kjo metodë nuk funksionon gjithmonë. Nuk ka dyshim se është një gjë e vështirë për t’u bërë, nuk është një proces i lehtë. Por ju e dini se ne po shpresojmë për këtë çështje, që ka mbështetje aq të gjerë nga publiku, dhe që ne e dimë nga shifrat se në qoftë se projekt-ligji hidhet sot në votë, ka mjaft njerëz që e mbështesin atë për ta miratuar. "

Përfaqësuesi republikan Mario Diaz-Balart është në një grup dypartiak që ka punuar për një formë kompromisi të projekt-ligjit të imigracionit, që do të përfshinte kërkesat e republikanëve për kontrolle më të rrepta kufitare dhe kërkesat e demokratëve që rreth 12 milionë imigrantë pa dokumenta që tashmë jetojnë në Shtetet e Shtetet të fitojnë status ligjor. Zoti Diaz-Balart i tha Zërit të Amerikës se veprimi në Dhomën e Përfaqësuesve ishte një teatër politik:

“Realiteti është se ka një numër prej nesh që kanë punuar dhe po përpiqen për reformën e imigracionit. Në se do të kemi sukses, dhe mendoj se do t’ja arrijmë kësaj, reforma duhet të jetë me konsensus dypartiak.”

Në një deklaratë, presidenti Obama tha se "përshëndeste përpjekjet e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve për të dhënë reformës së imigracionit votimin që e meriton. "Presidenti është nën një presion në rritje nga familjet e imigrantëve për të siguruar lehtësim për njerëzit pa dokumente që kanë frikën e dëbimt. Analistët thonë se çdo veprim për reformën e imigracionit nuk ka gjasa të ndodh para zgjedhjeve të mesit të mandatit këtë nëntorit.
XS
SM
MD
LG