Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin për aktivitetin e përgjimeve


Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar projekt-ligjin për të kufizuar aftësitë e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare për të mbledhur në masë tabulatet telefonike të amerikanëve. Përkrahësit thonë se ligji Freedom Act ofron balancën mes mbrojtjes së privacisë dhe mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Kritikët thonë se reformat e nevojshme nuk janë të plota.

Votimi dje në Dhomën e Përfaqësuesve mbi projekt-ligjin përfundoi me 303 vota pro dhe 121 kundër dhe nuk tregoi ndarje në vija partiake.

Kjo është përgjigja e parë legjislative ndaj nxjerrjes nga ish-kontraktori Edward Snowden të informatave sekrete që i tregoi publikut përmasat e mëdha të programit të përgjimit dhe zgjoi reagime të forta edhe në shkallë ndërkombëtare. Kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Mike Rogers e ka dënuar disa herë aktin e Snowdenit dhe përsëriti kritikat e tij para ligjvënësve, ndërkohë që shprehu vlerësim për projekt-ligjin.

"Detyra jonë për mbrojtjen e vendit nuk duhet të pengohet nga veprimet e një tradhtari apo të tradhtarëve që nxjerrin informacione sekrete që vënë në rrezik trupat në fushën e betejës, apo nga elementë që përhapin gënjeshtra për të çuar përpara axhendën e tyre të shtrembër”.

Zoti Rogers dhe një grup ligjvënësish demokratë dhe republikanë thanë se reformat nuk cënojnë aftësinë e shërbimeve të zbulimit për të kryer misionin e tyre, ndërkohë që nuk cënojnë as liritë e individit.

Ligjvënësja demokrate nga Teksasi Sheila Jackson Lee u shpreh:

"Sot dua të deklaroj se mbledhja masive e tabulateve ka marrë fund. Kjo ishte një arritje e madhe e vetë popullit amerikan”.

Por një numër ligjvënësish nga të dyja partitë, përfshirë një nga përkrahësit e projekt-ligjit, thanë se shumë prej klauzolave ishin eliminuar gjatë analizës së dokumentit në komisionet e ndryshme të Dhomës së Përfaqësuesve. Ligjvënësi demokrat Mike Honda shprehet:

"Jam shumë i zhgënjyer që ky projekt-ligj popullor, me mbështetje dypartiake është dobësuar kaq shumë se që unë nuk mund ta mbështes në këtë formë”.

Projekt-ligji udhëzon kompanitë telefonike të mbajnë tabulatet telefonike të amerikanëve për 18 muaj dhe ta lejojnë NSA t’i kontrollojë këto të dhëna gjatë proceseve hetimore për terrorizëm, pasi të jetë nxjerrë një urdhër gjykate. Presidenti Obama e mbështet projekt-ligjin, por aktivistët e të drejtave civile dhe kompanitë telefonike janë shprehur me kritika ndaj dokumentit. Ata thonë se dokumenti i mëparshëm është gjymtuar për të siguruar mbështetjen e ligjvënësit Rogers dhe të tjerëve. Tani projekt-ligji i kalon Senatit ku pritet të bëhet objekt debatesh të ndezura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG