Lidhje

SHBA, punonjësit qeveritarë kthehen në punë


Në Shtetet e Bashkuara punonjësit qeveritarë u kthyen sot në punë pas miratimit nga Kongresi të një projekt-ligji për të rihapur qeverinë dhe për të rritur tavanin e borxhit. Presidenti Barak Obama e nënshkroi ligjin mbrëmë dhe kjo i dha fund një bllokimi politik që mund të kishte shkaktuar një krizë të re ekonomike.

Mbrëmë vonë, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët miratoi një kompromis të minutës së fundit, me 285 vota pro dhe 144 kundër. Votimi vjen më shumë se dy javë pas mbylljes së pjesshme të qeverisë, kur republikanët deklaruan se do ta miratonin ligjin e shpenzimeve buxhetore me kusht që ai të mos përmbante dispozita që financonin ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor, ose që zbatimi i këtij ligji të shtyhej.

Zoti Obama dhe demokratët e Kongresit refuzuan të negociojnë për ndryshime ndaj ligjit pa u rihapur qeveria dhe pa u rritur tavani i huamarrjes.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se ky konfrontim i shkaktuar nga republikanët i solli dëme të panevojshme ekonomisë amerikane.

"Kjo vuri në rrezik kreditin tonë, ngadalësoi rritjen e GDP-së me 0.6 përqind, dëmtoi besimin e konsumatërëve dhe të investitorëve, duke i hequr ekonomisë 24 milaird dollarë. Kolegë, a mendoni se për papërgjegjshmërinë tuaj ia vlente të shpenzoheshin 24 miliard dollarë? Kjo papërgjegjshmëri është një luks që populli amerikan nuk mund ta përballojë," tha zonja Pelosi.

Projekt-ligji u miratua të mërkurën herët në Senat me 81 vota pro dhe 18 kundër. Ndër ata që votuan kundër ishte senatori republikan Ted Cruz, i cili u bashkua me republikanët konservatorë të Dhomës për të minuar ligjin e ri të kujdesit shëndetësor.

"Kjo është një marrëveshje e tmerrshme. Ajo mishëron gjithçka që populli amerikan shikon negative te strukturat qeveritare në Uashington. Ajo lejon rritjen e mëtejshme të borxhit, të deficitit dhe shpenzimeve. Ajo nuk bën absolutisht asgjë për të ndihmuar miliona amerikanë, të cilët po dëmtohen për shkak të ligjit mbi kujdesin shëndetësor."

Pas votimit të Senatit, presidenti u bëri thirrje të dyja palëve për t'i dhënë fund praktikës së "qeverisjes përmes krizës".

"Shpresoj se të gjithë e kanë mësuar se nuk ka arsye përse të mos punojmë së bashku për të zgjidhur problemet, përse të mos biem dakord duke i frenuar mosmarrëveshjet, në mënyrë që, kur kemi mosmarrëveshje të mos i shkaktojmë dëm popullit amerikan," tha Presidenti Obama.

Projekt-ligji ishte një kompromis i minutës së fundit i arritur gjatë ditës së djeshme mes kreut të demokratëve të Senatit, Harry Reid dhe homologut të tij republikan, Mitch McConnell.

Ai parashikon financimin e qeverisë të paktën deri më 15 janar dhe lejon Departamentin e Thesarit të marrë hua të paktën deri në fillim të shkurtit. Gjatë kësaj kohe, ligjvënësit do të negociojë mbi një plan afatgjatë për buxhetin.

Nëse tavani i huamarrjes nuk do të ishte ngritur, qeveria do të mbetej pa para për të paguar borxhet, një situatë e cila do të kishte tronditur besimin tek ekonomia amerikane.
XS
SM
MD
LG