Lidhje

SHBA, Republikanët pas humbjes së Eric Cantorit


Tronditja nga mundja e papritur e në zgjedhjet partiake e një prej republikanëve më të fuqishëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Eric Cantor, vazhdon të ndjehet në Kongres. Disa ligjvënës dhe analistë kanë ngritur pyetjen nëse ndryshimet e ardhshme në udhëheqjen republikane në Dhomën e Përfaqësuesve do ta bëjnë edhe më të vështirë zgjidhjen e problemeve madhore si imigracioni.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dje për herë të parë që nga mundja e Eric Cantorit në zgjedhjet përballë një republikani tjetër. Kryetari Boehner u bëri thirrje republikanëve të bashkohen për t’iu kundërvënë politikave të Presidentit Obama:

"Ky është momenti për unitet, për t’u përqëndruar në ato që e dimë se janë të vërteta, se politikat e presidentit nuk u kanë shërbyer amerikanëve”.

Zoti Cantor humbi zgjedhjet partiake në Virginia përballë pedagogut të ekonomisë David Brat, i cili mbështetej nga grupe lokale të partisë Tea Party. Brat e akuzoi kundërshtarin se kishte lidhje të ngushta me biznesin e madh dhe se mbështeste dhënien e amnistisë për fëmijët e imigrantëve të paligjshëm. Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi dha pikëpamjet e saj për humbjen e Eric Cantor:

"Ajo që po ndodh është se Partia Republikane po zhvendoset më tej nga e djathta. Ligjvënësi Cantor, i cili vazhdon të jetë përfaqësues në Kongres, nuk ishte njeriu që donte Tea Party”.

Disa analistë thonë se populli amerikan është i polarizuar politikisht, dhe se një qeveri e ndarë – Shtëpia e Bardhë dhe Senati të kontrolluar nga demokratët, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët – pasqyrojnë hendekun e madh ideologjik mes republikanëve dhe demokratëve në vend. Geoffrey Skelley i Universitetit të Virxhinias thotë se nuk mendon se aftësia e Kongresit për të qeverisur mund të keqësohet më tej:

"Por do të thosha se humbja e Cantor-it do t’i bëjë republikanët shumë nervozë lidhur me çdo gjë që ka të bëjë me imigracionin. Cantor e kishte hedhur poshtë aludimin se ai ishte i butë në çështjen e imigracionit. Brat pat thenë se Cantor është në favor të amnistisë, por Cantor i ishte përgjigjur me forcë se nuk mbante atë qëndrim”.

Zonja Pelosi fajëson republikanët për mungesë përparimi në ato që i cilëson si çështje kritike:

"Nën udhëheqjen aktuale në anën republikane, kemi përjetuar mbylljen e qeverisë, nuk kemi miratuar reforma në imigracion, nuk kemi miratuar Ligjin për votën”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner fajëson Presidentin Obama për mungesën e përparimit në çështjen e imigracionit:

"Presidenti duhet të dëshmojë se mund të kemi besim tek ai për të zbatuar një ligj ashtu siç është miratuar”.

Javën e ardhshme, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve do të zgjedhin pasuesin e Eric Cantorit. Analistët thonë se ai që do të zgjidhet do të mishërojë drejtimin që do të marrin republikanët.
XS
SM
MD
LG