Lidhje

Kongresi i ri amerikan, më i larmishmi në histori

  • Carolyn Presutti

Ligjvënësit e rinj amerikanë, që marrin detyrën për herë të parë në janar, përbëjnë grupin më të larmishëm në historinë e Shteteve të Bashkuara. Pengesat janë thyer në lidhje me orientimin seksual, etninë dhe fenë. Në fakt, në mesin e 200 përfaqësuesve demokratë, gratë dhe anëtarët e pakicave të ndryshme do të tejkalojnë numrin e meshkujve heteroseksualë të bardhë. Materiali në vazhdim na njeh disa nga këta ligjvënës në Kongres, me të cilët do të pasqyrohet më saktësisht larmia e njerëzve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara

Ndërtesa e Kongresit përbën sfidë për çdo ligjvënës të ri. Por imagjinoni nëse duhet të lëvizni në të me karrige me rrota. Ligjvënësja e sapozgjedhur Tammy Duckworth humbi këmbët kur helikopteri me të cilin po udhëtonte në Irak u godit nga një predhë.

Zonja Duckworth është e para veterane lufte femër në Kongres si dhe ligjvënësja e parë amerikane e lindur në Tajlandë. Në fakt, ligjvënësit e sapoemëruar pasqyrojnë popullsinë amerikane më mirë se kurrë më parë – duke krijuar kështu Kongresin më të larmishëm në histori.

"Mendoj se është fantastike. Ky Kongres pasqyron kombin tonë, dhe kombi ynë tani është më i larmishëm. Kjo është forca e këtij vendi. Ne vijmë prej formimeve kulturore të ndryshme."

Ashtu si Tulsi Gabbard. Ajo përfaqëson Hawaiin dhe është e para anëtare hindu e Kongresit. Ndërsa Sean Maloney, është një ligjvënës i ri homoseksual.

"Kjo do të sjellë në proces zëra që ishin lënë jashtë. Dhe unë mendoj se kjo është gjithmonë një gjë e mirë. Është diçka që karakterizon vetë historinë e Amerikës."

Meshkujt e bardhë themeluan vendin. Tani, meshkujt e bardhë heteroseksualë përbëjnë pakicën në mesin e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Kohët po ndryshojnë, thotë John Samples i Institutit Cato.

"K[shtu duhet të funksionojë sistemi. Vendi ndryshon, demografia ndryshon, kemi dhe ndryshime politike."

Në rradhët e ligjvënëseve republikanë nuk ka patur ndryshime të tilla. Nga 36 të sapoemeruarit, të gjithë janë të bardhë. Vetëm tre janë femra. Ligjvënësi i sapozgjedhur republikan Roger Williams thotë se rëndësi ka qëllimi.

"Asnjë prej nesh nuk ka mbërritur duke ndjekur të njëjtën rrugë, por të gjithë kemi të njëjtin synim."

Tani, Kongresi amerikan përmban ligjvënës me prioritete të ndryshme, që vijnë nga zonat e tyre me larminë më të madhe. Pasi ata të marrin detyrën në janar, disa analistë parashikojnë se do të miratohen ligje më gjithëpërfshirëse, të cilat do të pasqyrojnë nuancat e reja të Amerikës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG