Lidhje

Kongresi mobilizohet për projekt-ligjin mbi Ukrainën, Rusinë


Po shtohen shanset për miratimin nga Kongresi të një pakete ndihmash për Ukrainën dhe sanksioneve të reja kundër Rusisë, ndërkohë që anëtarë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve po përpiqen të zgjidhin mospajtimet mes tyre. Projekt-ligji mund të jetë gati për firmën e Presidentit Obama brenda kësaj jave:

Kongresi është i mobilizuar për t’iu përgjigjur ankesimit të Krimesë nga Rusia dhe marrja e vendimeve nga Kongresi nuk ka qenë në pikëpyetje. Demokrati Robert Menendez është kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë:

"Bota pa na shikon. Superfuqia e botës nuk mund të shihet si e paaftë për t’iu përgjigjur sfidës që ka paraqitur Rusia”.

Formulimi i ligjit për të ndihmuar Ukrainën dhe për të ndëshkuar Rusinë hasi në pengesë javën e kaluar. Disa republikanë në Senat kundërshtuan disa nene të projekt-ligjit që do të zhvendosnin kontributet ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar në mënyrë që të mundësoheshin kreditë e FMN-së për Ukrainën dhe vende të tjera në gjendje kritike. Demokratët dhe administrata Obama i dolën në mbrojtje kësaj mase si e nevojshme për Ukrainën dhe sistemin financiar global. Disa republikanë thanë se kjo masë nënkupton kosto për amerikanët.

Ndërkohë që debati në Senat vazhdonte, udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve sinjalizuan se ky nen nuk do të miratohej në këtë dhomë të Kongresit. Të martën vonë, demokratët në Senat pranuan disfatë dhe hoqën dorë nga neni lidhur me FMN-në. Senatori Menendez iu drejtua me këto fjalë kolegëve republikanë:

"Sot po ecën siç e deshët ju. Shpresoj se pjesa tjetër e paketës, e cila ofron garanci për një miliard dollarë për Ukrainën, dhe sanksione kundër regjimit rus dhe të tjerëve që korruptuan regjimin e mëparshëm ukrainas dhe shkelën integritetin e saj territorial – të gjithë elementët e tjerë të këtij ligji duhet të gëzojnë mbështetje universale”.

Republikanët që kundërshtonin nenin për FMN-në, e duartrokitën këtë masë. Miratimi në Senat pritet të bëhet sot. Në Dhomën e Përfaqësuesve, Kryetari John Boehner premtoi marrjen e masave të shpejta:

"Po zhvillojmë diskutime me Senatin lidhur me miratimin e këtij ligji. Synimi është që të punojmë së bashku dhe ta përfundojmë sa më parë që të jetë e mundur”.

Zoti Boehner tha se do që Kongresi t’i japë Presidentit Obama mjetet “për ta vënë në një pozitë të fortë” për t’iu përgjigjur krizës në Ukrainë.

Mbetet për t’u parë nëse Dhoma e Përfaqësuesve hedh në votë versionin e Senatit apo del me një version tjetër për ligjin që do t’i kalonte më pas Senatit. Të dyja Dhomat duhet të miratojnë versione identike të projekt-ligjit që më pas ai t’i dërgohet Presidentit për firmë.
XS
SM
MD
LG