Lidhje

SHBA: Të drejtat civile

  • Zllatica Hoke

Kongresi amerikan ka nderuar me medaljen më të lartë pas vdekjes udhëheqësin e ndjerë të të drejtave civile Martin Luther King, Jr dhe bashkëshorten e tij, Coretta Scott King. Që të dy ja dedikuan jetën punës kundër diskriminimit dhe ndarjes raciale. Me rastin e 50 vjetorit të nënshkrimit historik të Aktit për Liritë Civile, ata u nderuan me Medaljen e Artë të Kongresit.

Udhëheqës të kongresit nga të dy anët kënduan sëbashku një prej këngëve më të njohura nga lëvizja për liritë civile e viteve 1960-të.

E bija e Martin Luther Kingut, Bernice, e cila drejton Qendrën King me seli në Atlanta dhe dy vëllezërit e saj, Martin Luther King i Treti dhe Dexter Scott King, ndoqën marrjen e medaljes nga Lonnie Bunch, drejtor i Muzeumit Kombëtar Smithsonian për Historinë dhe Kulturën Afrikano Amerikane.

Me marrjen e kësaj medaljeje, muzeumi garanton se për sa kohë të egzistojë Amerika, kurajo dhe trashëgimia e Martin Luther Kingut do të nderohet, ruhet dhe kujtohet.

Udhëheqësi i pakicës në senat, Mitch McConnell e quajti pabarazinë racore në Amerikë, kancerin e padrejtësisë që u lejua të përhapet për afro një shekull pas fundit të Luftës Civile.

“Një pastor me zë kumbues dhe mesazh të fortë ndihmoi për këtë ndryshim. Përmes forcës së fjalëve dhe shembullit të tij, Martin Luther King bëri që njerëzit të përqendrohen në atë që ai e quajti, nata e gjatë e padrejtësisë raciale.”

Ligji që dënon ndarjen dhe diskriminimin racor u nënshkrua me 2 korrik, 1964 nga presidenti i atëhershëm Lyndon B. Johnson. Ligjvënësja Marcia Fudge foli për rolin e presidentit në punën me Kongresin për legjislacionin.

“Këta udhëheqës ja dedikuan jetën përparimit të Amerikës. Si rezultat i punës së Martin Luther King-ut dhe presidentit Johnson, unë jam këtu sot si afrikano amerikani i tretë dhe e dyta grua që përfaqëson distriktin 11 të Ohajos dhe ju përshendes në emër të 43 anëtarëve të Grupit Kongresional me Ngjyrë, që kam nderin të drejtoj.”

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Harry Reid theksoi se beteja kundër racizmit në Amerikë nuk u zhvillua vetëm në kryeqytetin e vendit.

"Beteja për të drejtat i civile u zhvillua në autobus në Karolinën e Jugut, Mississippi dhe madje edhe në urën Edmund Pettus në Selma të Alabamës.”

Me rastin e 50 vjetorit të Aktit për të Drejtat Civile në mbarë vendin po zhvillohen koncerte, hapen ekspozita, zhvillohen leksione, dhe përkujtohen data historike që çuan në nënshkrimin e legjislacionit.

XS
SM
MD
LG