Lidhje

Udhëheqësit e Kongresit mbi vendimin e Presidentit


Udhëheqësit e Kongresit amerikan përshëndetën njoftimin e papritur të Presidentit Obama se do të kërkojë votë në dy Dhomat e Kongresit për të autorizuar operacione kundër Sirisë lidhur me sulmin kimik për të cilin akuzohet qeveria siriane.

Më shumë se 140 ligjvënës amerikanë kishin nënshkruar një letër në adresë të Presidentit Obama, ku i kërkonin të merrte më parë miratim nga Kongresi para se të ndërmerreshin masa kundër Sirisë. Por Kongresi është me pushimet e sezonit aktualisht dhe ligjvënësit janë shpërndarë në shtete të ndryshme. Siç duket Presidenti shpreson të ketë një votë sa më parë që të jetë e mundur.

Por njoftimi i djeshëm i zuri të papërgatitur shumë në Uashington, kur ai tha se do të kërkonte miratimin e Kongresit, megjithëse nuk është e domosdoshme:

“Megjithë bindjen se unë gëzoj autoritetin për të ndërmarrë veprime ushtarake pa ndonjë autorizim specifik nga Kongresi, e di që vendi do të jetë më i fortë nëse ndjek këtë kurs dhe veprimet tona do të jenë më të efektshme. Duhet ta zhvillojmë këtë debat pasi këtu bëhet fjalë për sfida më të mëdha se problemet e përditshme. Sot në mëngjes, John Boehner, Harry Reid, Nancy Pelosi dhe Mitch McConnell shprehën bindjen se ky është veprimi i duhur për demokracinë tonë”.

Në një deklaratë me shkrim, udhëheqja republikane në Dhomën e Përfaqësuesve përshëndeti vendimin e Presidentit, duke thënë se në bazë të Kushtetutës përgjegjësia për të shpallur luftë bie mbi Kongresin. Kryetari i Dhomës John Boehner dhe ekipi i tij udhëheqës thanë se parashikojnë që Dhoma e Përfaqësuesve do ta marrë në shqyrtim masën në javën e 9 shtatorit, duke i dhënë Presidentit kohë të parashtrojë arsyetimin për vendimin e tij para Kongresit dhe popullit amerikan. Vendimi u përshëndet edhe nga një numër senatorësh. Analisti politik Larry Sabato tha për Zërin e Amerikës se mendon se Presidenti ndryshoi mendje krejt papritur:

“Presidenti Obama dukej se kishte në plan ta merrte vetë vendimin për të goditur Sirinë. Nuk dihet nëse do të kishte pasur aleatë në këtë vendim. Pas vendimit në Dhomën e Komunëve në Britani kundër operacioneve ushtarake ndaj Sirisë, mendoj se Presidenti e pa me sy tjetër realitetin”.

Analisti Sabato dhe ekspertë të tjerë thonë se Presidenti do të ketë shumë punë përpara për të bindur Kongresin, pasi për momentin nuk duket se ka një shumicë në Kongres që e mbështet idenë për sulm.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se që sot pasdite zyrtarë të lartë të administratës do të fillojnë të informojnë anëtarë të Kongresit mbi situatën dhe vendimin e Presidentit.
XS
SM
MD
LG