Lidhje

Kongresi dhe burgu i Guantanamos


Ndërsa i kanë mbetur vetëm tetë muaj në detyrë, Presidenti Barack Obama është ende duke u përpjekur të përmbushë premtimin e tij të fushatës për të mbyllur burgun amerikan në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Të enjten, Nënkomisioni i Sigurisë Kombëtare i Dhomës së Përfqësuesve mbajti një seancë dëgjimore për të analizuar ndikimin që transferimi i të burgosurve do të kishte në komunitetet lokale në Shtetet e Bashkuara. Guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley i tha panelit se presidenti dhe zyrtarë të tjerë federalë nuk e kanë informuar atë për planet e tyre për vendosjen e disa të burgosurve në shtetin e saj, dhe ajo do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndalur ardhjen e të burgosurve në shtetin e saj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine ndoqi seancën në kongres.

Në kulmin e tij, burgu i Guantanamos kishte afërsisht 800 të burgosur. Tani, ka vetëm 80, dhe Presidenti Obama do të donte që ata të transferoheshin në mënyrë që ta mbyllte këtë qendër burgimi. Por Kongresi vazhdimisht ka miratuar ligje për të mos lejuar presidentin të transferojë të burgosurit në burgje amerikane brenda Shteteve të Bashkuara, dhe ligjvënësi Scott Perry dëshiron që kjo përpjekje të vazhdojë:

"Populli amerikan nuk do që terroristët e burgosur në Guantanamo të vendosen në komunitetet, lagjet, ose afër shkollave të fëmijëve të tyre".

Ligjvënësi Perry ka ftuar në diskutim guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila është shprehur hapur kundër transferimit të burgosurve të Guantanamos në një qendër ndalimi afër Çarlstonit. Ajo thotë se shteti i saj ka kaluar mjaft situata të vështira me masakrën e vitit të kaluar në një kishë të Çarlstonit të kryer nga i dyshuari për vrasje Dylann Roof.

"Verën e kaluar banorët e Çarlstonit patën një përballje direkte me urrejtjen. Ne e njohim urrejtjen e vërtetë dhe pasojat që mund të sjellë frika. Ne nuk kemi nevojë të përballemi me këtë përsëri e as nuk duam që me këtë të përballen shtetet e tjera. Mbani terroristët aty ku ata janë, aty ku e kanë vendin, mos i sillni në shtëpinë time," thotë guvernatorja Haley.

Ligjvënësit demokratë kundërshtuan komentet e zonjës Haley mbi vrasësin Dylan Roof, duke thënë se ai është “terrorist vendas”. Ligjvënësi demokrat Bennie Thompson pati këtë shkëmbim me guvernatoren Haley:

"Pra, autori i këtij krimi të rëndë tani është në Çarlston?"

"Po".

"Dhe sipas jush, a ka krijuar kjo ndonjë problem për sigurinë e banorëve të Çarlstonit?"

"Ne nuk do ta lejonim që të krijonte probleme për çështjen e sigurisë. Por unë mund t'ju them se ky rast tani është një paralajmërues i vazhdueshëm".

Guernatorja Haley tha se ajo do të bëjë gjithçka për të mos lejuar transferimin e të burgosurve në shtetin e saj, dhe shumica e ligjvënësve republikanë në panel thanë se ata do të përpiqen për të mbajtur të burgosurit aty ku janë tani, në burgun e Guantanamos.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG