Lidhje

Kongresi amerikan mirëpret ngrohtësisht kryeministrin izraelit Netanjahu


Pas takimit me kryeministrin izraelit, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se Kongresi amerikan do të qëndrojë gjimonë përkrah Izraelit, dhe asnjëherë nuk do të lejojë që shteti hebraik të jetë i vetëm.

“Kërcënimi kanosës bërthamor i Iranit nuk mund të mospërfillet. Paqartësia mund të çojë në përllogaritje të gabura, çfarë ne të gjithë po mundohemi të menjanojmë.”

Zoti Boehner u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit që të jenë të qarta në komunikimet mes tyre dhe në komunikimin me Iranin. Disa ligjvënës republikanë dhe tre nga kandidatët republikan për president e kanë kritikuar presidentin demokrat Barak Obama për mos mbajtjen e një qëndrimi mjaftueshmërisht të ashpër ndaj Iranit. Udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Eric Cantor e ka akuzuar administratën e presidentit Obama për dërgimin e “mesazheve të përziera” kur flitet për Izraelin.

Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi tha se mbështetja e plotë amerikane për sigurinë e Izraelit është një përparësi afatgjat dhe dypalëshe dhe se presidenti ka mbajtur angazhimin e tij ndaj Izraelit në parandalimin e Iranit që të bëhet një shtet me armë bërthamore.

“Frenimi i Iranit dhe parandalimi që Teherani të ketë një armë bërthamore është në interesin tonë. Është në interes të Izraelit dhe rajonit. Do të përbënte kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe botën.”

Irani thotë se programi bërthamor ka vetëm synime paqësore por Teherani nuk ka lejuar ekipet ndërkombëtare që të inspektojnë objektet e tij bërthamore.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tha gazetarëve se kishte një vizitë të mirë në Washington, përfshi takimin e tij me presidentin Obama duke theksuar vizitën e tij në Kongresin amerikan.

“Duke kulminuar në këtë shfaqje të shkëlqyer të solidaritet këtu në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Mbështetje dypartiake nga Senati në Dhomën e Përfaqësuesve. Ka patur shprehje të mrekullueshme të mbështetjes që i keni dëgjuar nga zoti Boehner dhe zonja Pelosi.”

Presidenti Obama i kërkoi Izraelit që të ruajë durimin, duke thënë se ka ende një mundësi për të lejuar sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit që të funksionojnë. Zoti Netanyahu tha se Izraeli ka qënë i durueshëm, ndërkohë që Irani vazhdon të zhvillojë programin e tij bërthamor. Ai theksoi se Izraeli duhet ta mbrojë veten.

XS
SM
MD
LG