Lidhje

Kongresi kërkon masa të reja për sigurinë e aviacionit

  • Michael Bowman

Ligjvënësit amerikanë po bëjnë presion për miratimin e shpejtë të standardeve të reja për trajnimin e pilotëve në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë globin. Presioni i ri për standarde uniforme pason aksidentin e avionit të linjës Asiana të shtunën dhe rrëzimin e një avioni pasagjerësh në vitin 2009 në Buffalo të Nju Jorkut.

Senatori demokrat Charles Schumer thotë se tragjeditë e fundit në transportin ajror, përfshirë avionin e firmës Asiana, kanë nxjerrë një pah një praktikë shqetësuese:

"Nga ato që kemi vërejtur del një prirje e qartë: gabime të pilotëve dhe përgjigje e paaftë ndaj problemit që lind kur avioni fluturon me shpejtësi të pamjaftueshme”.

Senatori Schumer përfaqëson shtetin e Nju Jorkut, ku një avion pasagjerësh u rrëzua në vitin 2009, duke vrarë të 49 personat në bord. Një proces hetimor për aksidentin arriti në përfundimin se piloti reagoi gabim ndaj problemit të ngecjes duke e keqësuar më tej problemin. Kongresi miratoi Ligjin për Siguri në Transportin Ajror, i cili rishikoi standardet e trajnimit të pilotëve.

Dje, Administrata Federale e Aviacionit njoftoi zbatimin e një pjese të këtyre standardeve lidhur me kohën e detyrueshme të përgatitjes së pilotit për të marrë certifikimin e nevojshëm. Senatori Schumer dhe të tjerë kërkuan zbatimin e shpejtë të të gjitha standardeve:

"Rregullat e reja do të vendosnin standarde minimale për kohëzgjatjen e ditës së punës dhe lodhjen që provon piloti, mbikqyrjen e masave të sigurisë dhe trajnimin me simulantë fluturimi”.

Por Senatori vuri në dukje se Administrata Federale e Aviacionit nuk ka autoritet jashtë Shteteve të Bashkuara:

"Nuk ka arsye përse pasagjerët amerikanë të vihen në rrezik nga pilotë të patrajnuar në vende të tjera. Prandaj po i kërkojmë Administratës së Aviacionit të veprojë për t’i bërë këto rregulla standarde globale nëse në avionë ka pasagjerë amerikanë. Me fjalë të tjera, kompanitë ndërkombëtare që nisen nga ose fluturojnë drejt Shteteve të Bashkuara duhet të përmbushin të njëjtat standard të sigurisë si kompanitë amerikane”.

Autoriteti i OKB-së për Aviacionin Ndërkombëtar Civil do të zhvillojë një asamble të 191 vendeve anëtare në shtator.
XS
SM
MD
LG