Lidhje

Afron afati për buxhetin federal amerikan


Kongresi amerikan ka më pak se dy javë për të zgjatur autoritetin federal të shpenzimeve përndryshe përballet me një mbyllje të pjesshme të qeverisë. Viti financiar mbyllet në mesnatën e 30 shtatorit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman, zakonisht Uashingtoni u shpëton betejave fiskale gjatë viteve zgjedhore, por ky vit duket se është ndryshe pasi edhe synimet e përbashkëta si lufta kundër virusit zika janë zhytur në vorbullën e grindjeve partiake.

Tani që shumë amerikanë e kanë përqendruar vemendjen te zgjedhjet presidenciale, për Uashingtonin po afron afati i financimit të qeverisë. Nëse shërbimet qeveritare jo-thelbësore shkojnë drejt pezullimit, kjo mund të bëhet një pengesë e madhe për të dyja partitë vetëm pak javë para zgjedhjeve të nëntorit.

“Nuk është koha për lojra politike,” thotë senatori demokrat Bill Nelson.

“Është diçka që duhet trajtuar,” shprehet republikan John Cornyn.

Jo vetëm që Kongresi nuk arriti ta miratojë buxhetin por republikanët dhe demokratët ende nuk pajtohen as me detajet e zgjatjes së përkohëshme të niveleve aktuale të shpenzimeve, për të shmangur mbylljen e qeverisë. Palët fajsojnë njëra-tjetrën.

“Është pengesë e demokratëve”, thotë senatori Cornyn.

“Procesi u shpërbë nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve”, thotë demokrati Dick Durbin.

Si zakonisht, republikanët dhe demokratët kanë përparësi të ndryshme fiskale.

Gjashtë herë është bllokuar ky organ nga senatorët demokratë që të shqyrtojë legjislacionin për financimin e Departamentit të Mbrojtjes, financimi i nevojshëm për trupat tona që të përmbushin misionin”, thotë senatori republikan Mike Rounds.

Nëse kërkohet rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, do të votoj për këtë, por duhen rritur edhe shpenzimet jo-ushtarake. Pse duam të rrisim shpenzimet e jo ato ushtarake?Duhet të sigurohemi që familjet e varfëra të kenë ushqim, që FBI të ketë financim të mjaftueshëm”, thotë demokrati Durbin.

Negociatat dy palëshe vazhdojnë me dyer të mbyllura pa asnjë shenjë për një zgjidhje të afërme. Ndërkaq, përpjekjet kundër zikës janë mes përparësive urgjente.

“Jemi në mes të një krize të shëndetit publik që duhet trajtuar si emergjente që është”, thotë senatori demokrat Bill Nelson.

Por një forcë e madhe është në favor të arritjes së marrëveshjes për shpenzimet: dëshira e ligjvënësve për t’i dhënë fund kësaj dhe për t’u përqendruar në shtetet e tyre në javët e fundit para zgjedhjeve.

“Jemi duke punuar më pak ditë në Uashington se sa kemi në 60 vite. U tregova këtë kalendar votuesve të mi dhe ata menduan se po bëja shaka”, thotë senatorja demokrate Claire McCaskill.

Tani për tani, askush nuk mund të japë ndonjë parashikim të saktë.

“Kur të arrijmë një marrëveshje, do t’ju tregojmë”, thotë senatori republikan Mitch McConnell.

XS
SM
MD
LG