Lidhje

Kongresi i Partisë Socialiste diskuton programin e ri politik


Kongresi i Partisë Socialiste diskuton programin e ri politik

Kongresi i Partisë Socialiste diskuton programin e ri politik

Partia Socialiste e opozitës po shqyrton një program të ri politik në kongresin që po zhvillon në Tiranë. Kryetari i saj, Edi Rama, tha se fushat kryesore të angazhimeve socialiste janë ekonomia, politikat sociale, demokracia dhe integrimi evropian. Kongresi i opozitës po ndiqet me vëmendje edhe nga kritikët brenda radhëve të të majtës, të cilët po kërkojnë më shumë liri debati në PS. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ilirian Agolli, njofton nga Tirana.

Partia Socialiste zhvilloi dje kongresin e radhës mes thirrjeve të kryetarit të saj Edi Rama për bashkim të socialistëve rreth një programi opozitar që synon të përmirësojë ekonominë, demokracinë, integrimin dhe politikat sociale. Kongresi voton për të zgjedhur asamblenë e re dhe programin e ri të partisë kryesore të opozitës. Zoti Rama tha se disa politikanë socialistë nuk duhet të bashkëpunojnë me kundërshtarin politik për qëllime personale, ndonëse shtoi që për hir të interesave të vendit opozita do të bashkëpunojë dhe me qeverinë për të përshpejtuar integrimin europian.

Ky është fillimi i një rruge të re, për ta kthyer programin e ri në një frymë të re besimi tek njerëzit e raskapitur nga ekonomia në krizë, nga drejtësia në krizë, nga demokracia në krizë. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta futur politikën në çdo shtëpi, jo me erën e dasive të së shkuarës, po me fuqinë e propozimeve për të ardhmen” - tha ai.

Partia Socialiste po e mban këtë kongres 6 muaj pasi humbi bashkinë e kryeqytetit në zgjedhjet vendore dhe 26 muaj pasi zgjedhjet parlamentare te 2009. Megjithatë drejtuesit e partisë opozitare dhe një mijë e 500 delegatët e majtë janë të vendosur të shohin përpara drejt zgjedhjeve të ardhshme që janë pas një viti e gjysmë. Ata po hartojnë programin e ri, po zgjedhin asamblenë dhe kryesinë e re, me shpresën se do të përtërijnë shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë.

Kongresi i sotëm ka ngjallur së pari shpresat e disa socialistëve kritikë. Anëtari i kryesisë, Ben Blushi, thotë se PS tregoi sot se ka aftësi vetkorigjuese, duke u kthyer në qëndrimet e majta, duke u larguar nga bojkoti parlamentar, grevat e urisë dhe politika e rrugës. Sipas tij, sfida e vërtetë e Shqipërisë është varfëria dhe ajo parti që e trajton më mirë atë, ajo do të marrë edhe më shumë vota nga qytetarët.

Unë mendoj se problemi më i madh që kanë shqiptarët sot është varfëria. Duhet të konkurrohet me ide, platforma, instrumenta administrativë për të mundur varfërinë. Cila nga dy partitë e mëdha apo koalicionet e mëdha adreson më mirë çështjet e varfërisë sigurisht ka arësye që të votohet më tepër. Pas 6 vitesh qeverisjeje, qeveria e Sali Berishës e ka të pamundur të vazhdojë, sepse nuk ka patur sukses në luftën kundër varfërisë, nuk ka patur sukses në luftën kundër korrupsionit. Besoj që garën e ardhshme elektorale këto dy përqasje do të konkurrojnë. Jam i bindur që kjo gjuhë që u përdor sot këtu në këtë kongres mund të gjenerojë më shumë vota për të majtën” - tha ai.

Por Kastriot Islami, një tjetër politikan i njohur socialist thotë se sfida e vërtetë e socialistëve është nevoja për bashkimin e forcave të majta.

Sfida e PS dhe opozitës në tërësi do të mbetet e vështirë, po të kemi parasysh edhe tre betejat e fundit elektorale. Në radhë të parë, siç është vërtetuar në 2005, 2007 dhe në 2009, për të fituar zgjedhjet PS duhet të bashkojë të majtën, e cila ende vazhdon të jetë e pabashkuar në nivelin e saj maksimal. Kjo është një nga sfidat më të mëdha, të cilën zoti Rama në 2005, kur kërkoi largimin e zotit Nano e vendosi si prioritetin e prioriteteve, dhe nuk arriti dot që ta realizojë. Pra, kjo mbetet një sfidë kryesore për të fituar zgjedhjet” - tha ai.

Partia Socialiste në dy vitet e fundit bojkotoi 6 muaj rresht parlamentin e ri të 2009, duke mos njohur rezultatin e atyre zgjedhjeve, zhvilloi grevë urie në shëtitoren para kryeministrisë, organizoi dhjetëra tubime proteste në kryeqytet dhe qytete të tjera, duke bllokuar rrugët kombëtare me djegien e gomave të automjeteve. Ngërçi politik që po zgjat prej më shumë se 2 vjetësh vuri në vështirësi shqiptarët dhe ndërkombëtarët, që vazhdimisht kërkojnë dialog midis forcave kryesore politike për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG