Lidhje

Ligjvënësit kërkojnë masa kundër Sirisë

  • Michael Bowman

Ligjvënës të lartë amerikanë nga të dyja partitë kanë bërë thirrje për masa të menjëhershme në përgjigje të provave se në Siri janë përdorur armë kimike.

Shtetet e Bashkuara nuk mund të injorojnë vdekjen e qindra sirianëve që besohet se u vranë nga armë kimike, u shpreh ligjvënësi Eliot Engel, demokrati më i lartë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Cështjet e Jashtme.

"Duhet të marrim masa dhe duhet të veprojmë pa vonesë”.

Zoti Engel i bëri komentet në emisionin Fox News Sunday. Ai ishte i ftuar në këtë emision së bashku me senatorin Bob Corker, republikani më i lartë në Komisionin e Senatit për Cështjet e Jashtme.

"Ky sulm ka ndodhur. Mendoj se do të përgjigjemi në një mënyrë të kujdesshme”.

Askush në Kongres nuk është shprehur për dërgimin e trupave tokësore në Siri. Përfaqësuesi Engel thotë se Shtetet e Bashkuara kanë shumë opsione të tjera pa pasur nevojë të dërgojnë trupa.

"Unë do të kisha dërguar raketa kruz. Kjo mund të realizohet pa dërguar trupa tokësore, pa vënë në rrezik amerikanët. Mund të shkatërrohen pistat e aviacionit, depot e municionit të regjimit, depozitat e naftës. Mund të goditen forcat ajrore siriane”.

Zoti Engel tha se Kongresi duhet të përfshihet në çdo vendim që merret, por shtoi se përfshirja nuk është e nevojshme të bëhet para se të jepen urdhra nga Presidenti. Senatori Corker tha se zoti Obama duhet të kërkojë autorizim nga Kongresi sapo të kthehen ligjvënësit nga pushimet e gushtit. Por ai shtoi se ndryshimi i regjimit në Siri duhet të mbetet përgjegjësi e popullit sirian.

"Shpresoj se merren masa që nuk do të na largojnë nga politika aktuale që opozita siriane të vihet në krye të zhvillimeve në terren”.

Forcat e marinës amerikane i janë afruar Sirisë dhe Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se ushtria amerikane është e përgatitur të veprojë sapo të marrë urdhër nga Presidenti Obama.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG