Lidhje

SHBA, fillon mbyllja e pjesshme e qeverisë


Presidenti Barak Obama tha se republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë mbyllur qeverinë federale në suazën e asaj që ai e quajti një ''kryqëzatë ideologjike" kundër ligjit të tij për kujdesin shëndetësor. Zoti Obama i bëri komentet në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, në ditën e parë të mbylljes së pjesshme të agjencive qeveritare.

Presidenti Obama e quajti mbylljen e qeverisë një "mbyllje republikane" dhe shtoi se duke bërë këtë, një fraksion jashtë kontrollit në mesin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, po e vë në rrezik rigjallërimin e brishtë të ekonomisë.

Ndërkohë, sot në mëngjes në Përmendoren e Linkolnit dhe pranë monumenteve të tjera u shfaqën barrikadat prej hekuri që sinjalizojnë mbylljen e tyre. Shërbimi i Parqeve mbylli edhe objektet e tjera turistike në kryeqytet. U mbyllën po kështu edhe parqet e tjera në të gjithë vendin, nga Alaska në Maine.

Agjenci qeveritare si NASA dhe ajo për Mbrojtjen e Mjedisit u mbyllën thuajse plotësisht. Por punonjësit e cilësuar si të domosdoshëm, siç janë kontrollorët e trafikut ajror, agjentët e patrullimit të kufirit dhe shumica e inspektorëve të ushqimit, vazhdojnë punën. Po ashtu edhe pjestarët e forcave të armatosura në uniformë dhe shërbime të tjera.

Presidenti tha se sa më gjatë të vazhdojë mbyllja, aq më negative do të jenë ndikimet.

"Republikanët, tha Presidenti Obama, nuk mund ta mbajnë peng tërë ekonominë." Ai u bëri thirrje republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që ta rihapin sa më shpejt qeverinë dhe të lejojnë punonjësit federalë të pushuar përkohësisht, të rikthehen në punë.

Qeveria mbylli dyert për shkak se Kongresi nuk arriti të miratojë një ligj për financimin e agjencive qeveritare përpara mesnatës së 30 shtatorit, që shënonte mbarimin e vitit financiar 2013. Republikanët thonë se duan një kujdes shëndetësor të drejtë për amerikanët. Ndërkohë, 1 tetori është data e fillimit të një elementi të rëndësishëm të ligjit për kujdesin shëndetësor.

Disa pjesë të ligjit hynë në fuqi sot pavarësisht nga mbyllja e qeverisë. Shumë amerikanë të cilët nuk kanë sigurime shëndetësore do të jenë tani në gjendje të regjistrohen për të përfituar nga subvencionet qeveritare të parashikuara në ligjin e sigurimeve shëndetësore.

Sot herët në mëngjes, Presidenti Obama u dërgoi një letër punonjësve federalë, ku thoshte se ata ishin bërë tabelë qitjeje në betejën fiskale të Uashingtonit. Rreth 800,000 punonjës janë detyruar të lënë përkohësisht punën si rrjedhojë e mungesë së financimit të agjencive qeveritare.

Presidenti tha se nëse mbyllja vazhdon, kjo do ta vështironte më shumë marrjen në punë nga qeveria të njerëzve të talentuar.
Ende është e paqartë se sa mund të vazhdojë mbyllja e qeverisë.
XS
SM
MD
LG