Lidhje

SHBA: Debat për sigurinë e konsullatës në Bengazi


Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Kontrollin dhe Reformën Qeveritare mbajti debatin e parë për sulmin e 11 shtatorit 2012 kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ku u vra ambasadori dhe tre amerikanë të tjerë. Republikanët kritikojnë administratën Obama se nuk ka garantuar siguri të mjaftueshme, ndërsa demokratët po akuzojnë republikanët se po përpiqen ta politizojnë tragjedinë.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sindi Shein na informon nga Kongresi se hollësi të reja po dalin nga ai që zyrtarët e Departamentit të Shtetit e quajnë sulm të pashembullt kundër konsullatës amerikane në Bengazi, ku një grup i madh njerëzish të armatosur rëndë hynë në kompleks dhe i vunë zjarrin ndërtesave. Departamenti i Shtetit thotë tani se nuk e kishin besuar kurrë që sulmi filloi si protestë kundër një filmi anti-mysliman, por ishte në fakt një sulm i organizuar mirë.

Komandanti i një ekipi ushtarak prej 16 vetësh që u largua nga Libia para sulmit, nënkoloneli Endriu Ud, i tha komisionit të Kongresit se konsullata amerikane në Bengazi nuk kishte patur asnjëherë forcat që i duheshin për t’u mbrojtur.

"Sigurimi në Bengazi ka qënë i vështirë për sa kohë që unë isha atje. Gjendja ishte e pasigurt dhe njoftimet nga disa libianë tregonin se gjendja po përkeqësohej. Sigurimi diplomatik ishte i dobët. Në prill atje ishte i stacionuar vetëm një agjent i sigurimit diplomatik”.

Kryetari republikan i komisionit, Derrëll Isa, akuzoi administratën obama se kishte shpërfillur kërkesat e përsëritura nga anëtarët e personelit në terren për më shumë siguri që gjendja të dukej më “e normalizuar”. Ai iu kundërvu zyrtares së Departamentit të Shtetit Sharlinë Lamb, e cila kishte hedhur poshtë kërkesat për më shumë siguri. Shkëmbimi Lamb-Isa ishte i ashpër.

Lamb: "Zotëri, ne kishim numrin e saktë të zyrtarëve të sigurimit në Bengazi më 11 shtator, numrin për të cilin kishim rënë dakord”.

Isa: "Të thuash që në fillim se kishit numrin e duhur, kur ambasadori ynë dhe tre persona të tjerë kanë vdekur, si dhe njerëz të tjerë janë në spital duke u kuruar sepse u deshëm vetëm pak minuta për të hyrë në atë ndërtesë, nuk tingëllon e vërtetë për popullin amerikan”.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i janë përgjegjur pyetjeve të Kongresit duke thënë se hetimet për sulmin vazhdojnë .

Demokratët e komisionit akuzuan republikanët se po nxitohen për të nxjerrë konkluzione, para se të mblidhen faktet dhe se po veprojnë me synime politike. Anëtari i komisionit, Elixhh Kamings është demokrat nga Marilandi.

"Kryetari ka mbajtur të fshehta dokumente që i janë dhënë komisionit, gjë që shkel rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ai ka përjashtuar me qëllim demokatët nga delegacioni i dërguar në Libi fundjavën e kaluar. Ne u informuam për udhëtimin vetëm 24 orë para nisjes”.

Demokratët theksuan gjithashtu se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve theksuan gjithashtu se republikanët kanë shkurtuar vazhdimisht fondet për sigurimin e ambasadave dhe i bënë thirrje Kongresit të shtojë fondet për mbrojtjen e amerikanëve që i shërbejnë vendin nëpër botë

Trego komentet

XS
SM
MD
LG