Lidhje

Kongresi miraton rritjen e nivelit tavan të borxhit

  • Michael Bowman

Kongresi amerikan ka rritur nivelin tavan të borxhit, duke shmangur rrezikun që Shtetet e Bashkuara të mos shlyenin detyrimet financiare që do të kishte pasur pasoja të rënda mbi ekonominë. Miratimi në Senat u arrit një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi këtë masë, ndërkohë që mbeten afro 10 ditë deri në momentin kur qeveria nuk do të ishte në gjendje të paguante këstet e borxhit.

Një tjetër ballafaqim fiskal është shmagur, pasi republikanët hoqën dorë nga kërkesat e tyre për lëshime në shkëmbim për rritjen e nivelit tavan të borxhit. Republikanët synonin të kërkonin ndryshime në ligjin për kujdesin shëndetësor, si dhe miratimin e një projekti për një tubacion nafte nga Kanadaja, që ka ngjallur kritika të shumta.

Më së fundi Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga republikanët miratoi një masë pa kushte për rritjen e nivelit tavan të borxhit, kryesisht me votat e demokratëve. Dje, Senati i udhëhequr nga demokratët e miratoi masën me 55 vota pro dhe 43 kundër, pasi të gjithë demokratët e mbështetën, por pa vota republikane.

Udhëheqësi i shumicës demokrate Harry Reid e cilësoi si domosdoshmëri rritjen e nivelit tavan të borxhit.

"Mospagimi i detyrimeve financiare do të shkatërronte ekonominë dhe do të zhbënte rimëkëmbjen e pesë viteve të fundit. Udhëheqësit financiarë e kanë paralajmëruar disa herë Kongresin se qoftë edhe kanosja e këtij rreziku trondit menjëherë ekonominë. Nuk mund t’u kthejmë shpinën përgjegjësive tona”.

Rritja e nivelit tavan të borxhit i jep autoritet Departamentit të Thesarit të marrë borxh gjë që i jep mundësi qeverisë amerikane të paguajë detyrimet financiare deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Por senatorët republikanë ankohen se, megjithëse rreziku i mospagimit të detyrimeve financiare është shmangur, ende nuk është zgjidhur problemi i deficitit fiskal të vendit. Senatori Jeff Sessions tha se Kongresi nuk po i shërben si duhet popullit amerikan:

"Amerikanët presin prej nesh t’i menaxhojmë me kujdes fondet. Ata presin prej nesh të shmangim rreziqet financiare ndaj vendit. Ata kanë çdo të drejtë, si dhe përgjegjësinë si shtetas të këtij vendi, të revoltohen me Kongresin, me Presidentin, që e kanë futur vendin në këtë lloj borxhi”.

Borxhi kombëtar ka arritur në 17 trilionë dollarë. Deficiti federal është reduktuar në masën 50 për qind gjatë viteve të fundit, si rezultat edhe ritmet e rritjes së borxhit janë ngadalësuar. Në mungesë të reformave fiskale, deficiti pritet të rritet përsëri duke filluar nga viti 2016, duke bërë të nevojshme rritje të tjera të nivelit tavan të borxhit në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG