Lidhje

Kongresi amerikan debaton traktatin e ujrave ndërkombëtare


Më shumë se 160 vende bëjnë pjesë në këtë traktat të OKB-së, që administron mënyrat se si vendet shfrytëzojnë oqeanet e botës dhe burimet e tyre.

Administrata e presidentit Obama thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëhen pjesë e traktatit global të marines i njohur si Ligji i Konventës së Ujrave. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Senatin amerikan, Michael Bowman, konventa mbështetet nga të dyja partitë politike në Kongresin amerikan, por nuk ka të ngjarë të merret ndonjë vendim para zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit.

Më shumë se 160 vende bëjnë pjesë në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Ujrave, e cila administron mënyrat se si vendet shfrytëzojnë oqeanet e botës dhe burimet e tyre. Të gjitha vendet e industrializuara e kanë ratifikuar traktatin, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara. Administrata e presidentit Obama synon ta ndryshojë këtë fakt dhe dërgoi Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Leon Panetta në Kongres për të argumentuar para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Para se ata të flisnin, kryetari i këtij komisioni, John Kerry bëri një njoftim.

"Unë do të doja që ky traktat të qëndrojë jashtë politikave të zgjedhjeve presidenciale. Dhe duke pasur parasysh këtë, dua të njoftoj se tani për tani nuk synoj ta hedh në vote traktatin para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit".

Megjithatë senatori Kerry bëri thrrje për ratifikimin e traktatit.

"Ratifikimi i traktatit do të na siguronte të drejta të favorshme lundrimi tek të cilat varen çdo ditë ushtria jonë dhe interest e lundrimit. Ratifikimi do të përforconte pozitën tonë ndaj Kinës dhe vende të tjra, që kanë pretendime në Paqësor, Arktik, ose gjetkë. Ai do t’u jepte kompanive tona të naftës dhe të gazit sigurinë, që ato kanë nevojë për të bërë investime të rëndësishme për të siguruar të ardhmen tonë energjitike. Traktati do të ndihmonte në sigurimin e mineraleve të ralla në tokë, për të cilat ne kemi nevojë për sistemin e armëve, të kompjuterve, të telefonëve celularë dhe sisteme të tjera të ngjashme".

Sekretarja e Shtetit Clinton e mbështeti këtë pikëpamje.

"Nëse ne nuk ratifikojmë traktatin, kompanitë tona do të humbasin mundësitë për të eksploruar zona të mëdha detare. Nëse ne bëhemi pjesë e konventës, ne do të shfrytëzojmë mundësi ekonomike ndoshta me vlerë prej qindra miliarda dollarësh".

Sekretari i Mbrojtjes Panetta tha se zbatimi i konventave ndërkombëtare përforcon autoritetin moral të Amerikës për t’u bërë presion vendeve të tjera, që të ndërmarrin të njëjtin hap.

"Çdo herë që ne kemi mosmarrëveshje me Iranin apo Korenë e Veriut, ne flasim mbi bazat e zbatimit të ligjeve ndërkombëtare, se këto vende nuk zbatojnë standartet ndërkombëtare, që ne kemi krijuar. Ne po paraqesim të njëjtin argument lidhur me të drejtat e lundrimit, ndërkohë që nuk jemi as anëtarë të konventës".

Ratifikimi i traktatit global të marines, Ligji i Konventës së Ujrave, do të dëmtonte sovranitetin e Shteteve të Bashkuara, thonë kundërshtarët e ratifikimit, mes tyre edhe senatori republikan, James Inhofe:

"Në qoftë se Shtetet e Bashkuara ratifikojnë këtë traktat, vendi do të detyrohet të transferojë milliardë dollarë të krijuara nga prodhimi i naftës dhe gazit për t’u shpërndarë në vendet e botës në zhvillim. Dhe kjo do të ishte hera e pare në historinë amerikane që një organizatë ndërkombëtare, në këtë rast Kombet e Bashkuara, do të ketë autoritet taksimi mbi vendin tonë".

Sekretarja Clinton vuri në dukje se si anëtare të konventës, Shtetet e Bashkuara do të kenë të drejta vetoje, madje ajo tha se përfitimet e anëtarësimit në konventë janë më të mëdha se sa çdo detyrim apo kosto.

"Kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara sakrifikojnë sovranitetin e tyre me këtë traktat, por në fakt është krejtësisht e kundërta. Ne do të sigurojmë të drejta sovrane mbi zona dhe burime të reja të mëdha".

Nëse shqyrtimi nga kongresi amerikan shtyhet deri pas zgjedhjeve të nëntorit, ratifikimi do të bëhet nga kongresi i tanishëm para se ligjvënësit të bëjnë betimin ose nga kongresi i ri, i cili do të mblidhet vitin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG