Lidhje

Ligjvënësja afrikano-amerikane udhëheq nismën “Gratë për Paqe Botërore”


Ligjvënësja afrikano-amerikane udhëheq nismën “Gratë për Paqe Botërore”
Ligjvënësja afrikano-amerikane udhëheq nismën “Gratë për Paqe Botërore”

Kongresistja amerikane Edi Bernisë Xhonson po kryen mandatin e saj të 10-të si përfaqësuese e një distrikti të Teksasit që përfshin një pjesë të madhe të qytetit të Dallasit. Ajo është infermierja e parë që u zgjodh për në Kongresin amerikan dhe ka themeluar një nismë të udhëhequr nga gratë, të bazuar në zgjidhje jo të dhunshme të konflikteve, të quajtur “Një Botë e Grave për Paqe Botërore”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Kongresit, Sindi Sejn, sjell hollësi nga Uashingtoni.

Kongresistja Edi Bernisë Xhonson thotë se kur mbërriti për herë të parë në Uashington para 20 vjetësh si anëtare e sapozgjedhur e Kongresit, i njihte mirë sfidat e të qenit afrikano-amerikane me titull të rëndësishëm, meqë kishte shërbyer si anëtare e legjislaturës shtetërore të Teksasit.

“Kur rritesh në Teksas si afrikano-amerikane, fiton njëfarë aftësie rezistence. Dhe të vjen keq për të tjetër që nuk dinë shumë gjëra”.

Zonja Xhonson thotë se tani, pas 20 vjetësh, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë dhe ka ende disa pjesëtarë të stafit të Kongresit që e shpërfillin dhe e trajtojnë sikur të ishte shërbyese e stafit e jo kongresiste veterane.

“Kur nuk të respektojnë, të shtyjnë anash, të shpërfillin në ashensor ose nuk tregojnë kurrfarë mirësjelljeje, e kupton sesa të paditur dhe duhet ta pranosh këtë fakt”.

Në vitin 2010, kongresistja Xhonson ishte gruaja e parë afrikano-amerikane që zgjidhej në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Shkencë dhe Teknologji. Ajo tha se pajtohet fuqishëm me Presidentin Barak Obama se Shtetet e Bashkuara ka mbetur mbrapa vendeve të tjera në fushën e shkencës dhe matematikës dhe se kjo pengon aftësinë për të konkurruar me vende të tjera.

Ajo thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë në skenën botërore, nëse nuk i kushtojnë më tepër rëndësi sigurimit të mësuesve të cilësisë së lartë.

“Nuk e di arsyen, por ne nuk i kemi nxitur njerëzit tanë më të aftë për t’u bërë mësues. Ne kemi një numër mësuesish të mirë, por mësues që nuk janë diplomuar në fushat në të cilat japin mësim, duke dëmtuar kështu si mësuesit edhe nxënësit”.

Pas sulmeve terroriste të 2001-shit në Shtetet e Bashkuara, kongresistja Xhonson thotë se ndjeu se i duhej të bënte diçka në përpjekje për të pakësuar dhunën në botë. Ajo thotë se beson që gratë kanë aftësi të veçantë për të punuar drejt paqes në të gjithë botën.

“Një nga arsyet”, thotë zonja Xhonson, “është se gratë janë nënat u ushtarëve. Gjëja e fundit që do të donte një grua është që fëmija e saj të duhet të shkojë në luftë dhe të vritet”.

Kongresistja Xhonson themeloi nismën “Një Botë e Grave për Paqe Botërore”, e cila përfshin një program mësimor për zgjidhjen e konflikteve për vajzat e të gjitha moshave. Ajo thotë se programi mbështetet në respektin për ata që kanë besime të ndryshme.

“Kjo është qasja jonë: që të respektojmë këto dallime, të lejojmë njerëzit të kenë hapësirën e tyre të kenë këto dallime. Unë kam punuar me njerëz në zonat e shkatërruara nga lufta, nga Bosnja në Afganistan, Bahrein, në të gjithë Afrikën; me gra nga Sudani, me gra palestineze e izraelite, si dhe irakiane”.

Zonja Xhonson thotë se në udhëtimet e saj në Afrikë dhe në gjithë botën, ajo gjithmonë kërkon të takohet me gra udhëheqëse. Ajo thotë se u ka sugjeruar shumë grave të përfshihen në bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, sepse ajo beson se konflikti nuk do të zgjidhet pa pjesëmarrjen e tyre.

XS
SM
MD
LG