Lidhje

SHBA, vendi më konkurrent në botë

  • Lisa Schlein

Shtetet e Bashkuara renditen në krye të listës së vendeve më konkurrente në botë, në një analizë të 60 vendeve nga IMD, një shkollë prestigjoze biznesi në Zvicër. Anketa arrin në përfundimin se Evropa po rifiton aftësinë konkurruese, ndërkohë që ekonomitë në zhvillim nuk e kanë të lehtë të ruajnë ritmet e rritjes. Korrespondentja Lisa Schlein njofton mbi Analizën Vjetore të Konkurrencës Botërore për 2014:

Autorët e raportit thonë se Shtetet e Bashkuara e meritojnë vendin e parë falë ekonomisë dinamike, përmirësimit të shifrave të punësimit dhe dominimit që gëzojnën në teknologji dhe infrastrukturë. Pas Shteteve të Bashkuara renditen tre ekonomi të vogla: Zvicra, Singapori dhe Hong Kongu. Të tre këto vende kanë ekonomi që përfitojnë nga eksportet, biznesi efiçent dhe novacionet.

Raporti arrin në përfundimin se Evropa është më mirë se vjet, falë përmirësimit gradual ekonomik, por pjesa më e madhe e tregjeve në zhvillim kanë rënë në renditje. Po sipas raportit vendet e grupit BRIC – Brazili, Rusia, India dhe Kina – kanë rënë në garën e konkurrencës, pas rënies së rritmeve ekonomike dhe investimeve të huaja, ndërkohë që vazhdojnë të vuajnë nga problemet e infrastrukturës së dobët.

Kina, e cila pritej t’u zinte vendin Shteteve të Bashkuara si superfuqia ekonomike e botës, ka rënë dy vende në renditje që nga viti i kaluar dhe tani renditet e 23-ta në indeksin e konkurrencës.

Drejtori i Qendrës së Konkurrencës Botërore në Shkollën IMD, Arturo Bris, tha për Zërin e Amerikës se Kina nuk ka rezultate të mira në konkurrencë, pasi nuk ka zhvillimin e duhur institucional.

“Ajo që vërejmë në Kinë dhe në vendet BRIC në përgjithësi, është se rritja ekonomike u realizua tepër shpejt dhe jo paralelisht me reformat e nevojshme institucionale. Rregulloret e biznesit, institucionet ekonomike dhe tregjet financiare, vlerat dhe parimet e biznesit, korrupsioni, instabiliteti, të gjitha këto në një moment të caktuar e pengojnë rritjen ekonomike”.

Zoti Bris thotë se Brazili po ndesh probleme të mëdha. Ai thotë se rritja e madhe e vitit të kaluar ka sjellë trazira sociale, pasi begatia në vend nuk ka prekur të gjitha shtresat e shoqërisë. Brazili këtë vit ka rënë tre vende dhe renditet i 54-ti në analizë.

Renditja e shkollës IMD bazohet në katër faktorë: mbarëvajtje ekonomike, efiçencë qeverisëse, efiçencë në biznes dhe gjendjen e infrastrukturës. Raporti thotë se nuk ka lidhje mes demokracisë dhe konkurrencës, megjithatë shanset për qeverisje të mirë janë më të mëdha në një sistem demokratik.

Sipas raportit, një faktor më i rëndësishëm është udhëheqja e mirë. Raporti nënvizon se Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – dy qeveri autoritare me udhëheqje të fortë – renditen në 10 vendet më konkurrente.

Ajo që bie në sy është mundesa e vendeve në zhvillim në këtë listë. I vetmi vend afrikan në listën me 60 vende është Afrika e Jugut, e cila renditet e 52-ta. Zoti Bris shpreh bindjen se vendet afrikane janë shumë konkurrente dhe do të donte t’i përfshinte në analizë, por shton se IMD mund të punojë vetëm me vende që ofrojnë të dhëna të cilësisë së lartë dhe mundësinë për të intervistuar drejtues biznesi që mund të japin informacion për vendin përkatës.

“Misioni i qendrës sonë është të ndihmojë vendet të zhvillohen dhe të gjenerojnë begati. Ne mund të ndihmojmë Kenian dhe Nigerinë shumë më tepër se Shtetet e Bashkuara. Pra synimi ynë është të përfshijmë sa më shumë vende në zhvillim në renditjen tonë”.

Rusia është ngritur katër vende krahasuar me vjet dhe tani renditet në vend të 38-të. Ukraina mbetet në vendin e 49-të. Megjithatë, zoti Bris vë në dukje se të dhënat u grumbulluan para trazirave aktuale në Ukrainë.

Ai thotë se trazirat dhe mungesa e harmonisë sociale dëmtojnë biznesin dhe ai parashikon që zhvillimet e fundit do të dëmtojnë renditjen e Ukrainës për vitin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG