Lidhje

Një konkurs kombëtar identifikon talentet e reja në shkencë


Një konkurs kombëtar identifikon talentet e reja në shkencë
Një konkurs kombëtar identifikon talentet e reja në shkencë

Nxënësit në Shtetet e Bashkuara janë mbrapa nxënësve të vendeve të tjera të zhvilluara përsa i përket suksesit akademik. Në një raport të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Kombeve të Bashkuara, amerikanët radhiten në vendin e 14 përsa i takon nivelit të leximit, në të 17-in në shkencë dhe të 25-in në matematikë, mes 34 vendeve më të pasura. Pavarësisht nga këto shifra, në shkollat amerikane ka shumë nxënës të talentuar. Disa nga më të mirët mes tyre ishin ditët e fundit në Uashington për konkursin më prestigjioz të shkencës në vend.

Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve ishte pika kulmore e një jave intensive. 40 finalistëve iu bënë pyetje nga juria dhe publiku. Ata u takuan me shkencëtarë dhe politikanë dhe Presidenti Obama i priti në Shtëpinë e Bardhë.

Këta nxënës të shkëlqyer u përzgjodhën nga 2 mijë konkurrentë në gjithë vendin. Wendy Hawkins është Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Intel, që ka organizuar konkursin. Ajo thotë se 40 finalistët përfaqësojnë arritje të shkëlqyera në shumë disiplina.

“...praktikisht në çdo degë të shkencës që mund të të shkojë ndër mend: fizikë, inxhinieri elektrike. Dhe projektet janë të detajuara, të pasura dhe të zgjuara”.

Selena Li është një kinezo-amerikane 17 vjeçare nga Sakramento e Kalifornisë. Ajo krijoi një trajtim më efektiv për kancerin e mëlçisë.

“Ka një mungesë të theksuar trajtimesh për kancerin e mëlçisë, prandaj unë doja të studioja këtë fushë”.

Li i filloi përpjekjet e saj para katër vjetësh me një udhëzues në Universitetin e Kalifornisë që e mësoi si të bënte eksperimente laboratorike.

“Unë studiova një mënyrë të re për të luftuar kancerin e mëlçisë duke i lënë të paushqyera derisa të vdesin qelizat kanceroze, duke lënë njëkohësisht pa prekur qelizat normale. Për të shkuar një hap më tej, unë bllokova një mënyrë mbijetese për qelizat kanceroze, duke e bërë më efektiv trajtimin”.

Li mori çmimin e tretë me një shpërblim prej 30 mijë dollarësh. Skot Buaver doli i 10-i. Ai fitoi 20 mijë dollarë për studimin e një lloj kërpudhe të lidhur me pakësimin masiv të amfibeve në gjithë botën.

“Unë u përpoqa të zbuloj nëse ekzistenca e elementëve të ndryshëm kimikë në mjedis, prania e substancave të ndryshme në rezervat ujore të Arizonës, mund ta vriste kërpudhën dhe të ndalonte përhapjen e tyre dhe të infeksionit të amfibeve”.

Buaver shpreson që gjetjet e tij të ndihmojnë në ruajtjen e mjediseve të jetesës së amfibëve kudo në botë. Pjesëmarrja në konkurs ishte kurorëzimi i katër viteve studim.

Si Buaver edhe Li duan të bëhen mjekë dhe studiues të mjekësisë. Drejtorja Ekzekutive e Fondacionit të Talenteve në Shkencë, Wendy Hawkins thotë se arritjet e tyre na kujtojnë se çfarë mund të realizojnë nxënësit e shkollave të mesme.

“Të gjithë këta nxënës janë shkencëtarë. Ata kanë aftësinë, dijet dhe mënyrën e duhur për ta parë botën. Këta nxënës bëjnë gjëra të mrekullueshme në rrugë të njohura dhe të panjohura”.

Hawkins thotë se nxënësit e talentuar shërbejnë gjithashtu si shembull për të tjerët dhe përfaqësojnë brezin e ri të novatorëve që do t’i japin formë të ardhmes së Amerikës.

XS
SM
MD
LG