Lidhje

Konkurs mes kryekuzhinjerëve të ambasadave në Uashington


Konkurs mes kryekuzhinjerëve të ambasadave në Uashington
Konkurs mes kryekuzhinjerëve të ambasadave në Uashington

Uashingtoni nuk është vetëm qyteti i ambasadave, organizatave joqeveritare dhe agjencive federale. Kryeqyteti amerikan është gjithashtu edhe një qendër shoqatash artistike dhe historike dhe një qytet i pasur me tradita gatimi nga e gjithë bota.

Përveç restoranteve të shumta cilësore, ambasadat e ndryshme ofrojnë ndër të tjera edhe prezantime të shkëlqyera të kulturës së gatimit nga vendet e tyre.

Dhe asnjëherë tjetër nuk është më e dukshme kjo larmi se në Konkursin Vjetor të Kryekuzhinjerëve të Ambasadave.


Kjo është bota e talentit të gatimit, me shije speciale që nga Kina e deri në Venezuelë. Këta 12 kryekuzhinjerë, të gjithë të personelit të ambasadave në Uashington, po përpiqen të impresionojnë një juri dhe mbi 400 të ftuar në Sfidën e sivjetshme të Kryekuzhinjerëve të Ambasadave.

Por konkursi vjetor është më tepër se një garë e thjeshtë, pasi shërben edhe për grumbullim fondesh për shoqatën Turizmi Kulturor në Uashington, një koalicion me mbi 230 organizata për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit.

Drejtoresha ekzekutive e shoqatës, Linda Harper thotë se të gjitha ambasadat ftohen për të marrë pjesë në konkurs:

"Pak a shumë, pjesëmarrja garantohet për ata që bëjnë kërkesë të parët, por përpiqemi të ofrojmë edhe një larmi gjeografike. Uashingtoni ka më shumë ambasada se çdo qytet tjetër në botë, pra është një mundësi e rrallë për të provuar kuzhinat e tjera”.

Në këtë konkurs, kryekuzhinjerët sjellin diçka të veçantë nga kuzhina e vendeve të tyre. Yordan Dimitrov nga ambasada bullgare ka përgatitur një pjatë me ngjyrat e flamurit bullgar. Ai thotë:

"Kur mësuam se zhvillohej konkursi, na pëlqeu ideja dhe vendosëm të marrim pjesë. Gjithmonë është kënaqësi të krahasosh aftësitë me kuzhinjerë të tjerë në Uashington”.

Për Djamel Amroune, kryekuzhinjier i ambasadës irakiane, pjata e zgjedhur ishte një salcë me patëllxhan, e njohur si baba ganush.

Kryekuzhinjeri Lars Beese i Ambasadës Mbretërore Daneze u nderua me çmimin më të lartë këtë vit. Por kryekuzhinjeri Jose Luis Fernandez i Ambasadës së Perusë fitoi çmimin e publikut për pjatën e tij të peshkut sipas traditës peruane. Ai thotë:

"Ndikimet dhe trashëgimia që kanë sjellë kulturat e ndryshme në Peru e kanë bërë kuzhinën e vendit shumë të veçantë”.

Kinskyi Serhii, i ambasadës së Ukrainës thotë se konkursi është një mundësi e rrallë për të mësuar diçka të re për kulturat e tjera:

"Ke mundësi të shohësh shumë dhe të shkëmbesh ide me kuzhinjerë nga vende të ndryshme. Merr njohuri që mund t’i përdorësh në konkursin tjetër”.

Ky ishte edicioni i tretë vjetor i Konkursit të Kryekuzhinjerëve, i cili përfshin gjithashtu edhe një ankand. Të ardhurat përdoren për të mbështetur projekte si “Pasaportë për Uashingtonin” një aktivitet një mujor ku prezantohen kultura të ndryshme në Uashington.

XS
SM
MD
LG