Lidhje

Konkursi i Talenteve Shkencore i kompanisë Intel në Uashington


Konkursi i Talenteve Shkencore i kompanisë Intel është një ndër konkurset më të vjetra dhe prestigjoze shkencore për nxënësit e shkollave të mesme në Shtetet e Bashkuara. Dyzet konkurentë, të zgjedhur nga një grup prej afro 2000 kandidatësh në shkallë kombëtare, u mblodhën ditët e fundit në Uashington për çmimin e lakmuar prej 100 mijë dollarësh. Projektet e nxënësve prezantuan një gamë shpikjesh, që nga ilaçe kundër diabetit, kancerit e problemeve mendore e deri tek përmirësimet në teknologjinë e zbulimit të minave të tokës apo përparime në fizikën kuantike. Në vazhdim një vështrim mbi këtë grup të rinjsh që mund të jenë shpresa e shkencës për Shtetet e Bashkuara:

Fitues i vendit të parë për Konkursin e 2012 për Talentet Shkencore të Kompanisë Intel ishte Nethin Tumma nga Fort Gratiot i Michiganit.

“Është një nder i madh. Më bën të vazhdoj kërkimet, të bëj gjërat që më pëlqejnë në punën time shkencore, në pasionin tim për shkencën”.

17-vjeçari fitoi për kërkimet e tij që mund të çojnë në mjekime më direkte, efektive dhe me pasoja më të kufizuara në luftën kundër kancerit të gjirit.

Gjatë konkursit një javor, Tumma dhe konkurentët e tjerë prezantuan kërkimet e tyre për publikun, argumentuan logjikën dhe rezultatet para jurisë dhe i diskutuan me njëri-tjetrin. Ata patën gjithashtu rastin të takohen me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Por presidenti nuk ishte e vetmja figurë e lartë që u prezantua me të rinjtë, shpjegon Wendy Hawkins e Fondacionit Intel që sponsorizon konkursin. Ajo thotë se ky aktivitet hedh dritë mbi rëndësinë e lëndëve shkencore dhe teknologjike para anëtarëve të Kongresit:

“Duam që të ndikojmë tek ata që kanë ndikim, tek ata që përcaktojnë politikat, tek ata që vendosin si ndahen fondet për t’u treguar se lëndët shkencore në shkolla i shërbejnë të ardhmes sonë dhe të ardhmes së nxënësve tanë”.

Projektet që përfshihen në konkursin Intel kontribuojnë me të dhëna dhe analiza serioze shkencore. Jack Li, një 18-vjeçar nga El Segundo i Kalifornisë ka zbuluar një metodë për të përmirësuar terapinë me enzima kundër fenilketonuria ose PKU, një sëmundje gjenetike që shkakton episode eileptike dhe zhvillim të vonuar mendor.

Li thotë se me ndihmën e instruktorëve të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, ai projektoi një kapsulë mikroskopike që mbulon në mënyrë hermetike enzimën kur kalon përmes sistemit tretës.

“Rezultatet ishin të shkëlqyera. Versioni i enzimës në kapsulë kalonte përmes stomakut dhe zorrës së hollë pa u prekur, ndërsa versioni që merrej pa kapsulë humbiste plotësisht efektin”.
Një kompani farmaceutike ka shprehur interes dhe mund ta marrë përsipër projektin e 18 vjeçarit për ta zhvilluar në një produkt për treg.

Një tjetër finaliste, 17-vjeçarja Marian Bektel nga Lenkaster i Pensilvanisë, ka projektuar një sistem të ri për të zbuluar minat e fshehura nën tokë, një problem serioz në zona konflikti në mbarë botën:

“Minat faktikisht vrasin ose gjymtojnë dikë çdo 22 minuta. Fillova të studioj fenomenet sizmo-akustike, që në fakt nënkupton përdorimin njëkohësisht të valëve zanore dhe lëkundjeve të tokës”.

Pajisja e nxënëses Marian Bektel është në gjendje të analizojë një hapësirë toke dhe përmes një vale zanore të identifikojë një objekt, si për shembull një minë të mbuluar me dhé, pa e ngatërruar atë me gurë apo mbeturina.

“Analizat e mia statistikore dhanë rezultate shumë të mira. Metoda duket se është shumë efektive. Ende nuk kam përfunduar analizat. Po ashtu duhet të bëj shumë përmirësime para se ta paraqes diku. Por deri tani është një metodë shumë premtuese”.Bektel thotë se synon ta publikojë punimin e saj para se të fillojë studimet universitare pas pak muajsh. As Bektel, as Li nuk fituan çmimin prej 100 mijë dollarësh; secili mori nga 7500 dollarë. Por ata thonë se synimi nuk ishte shuma e parave, por përparimi i shkencës:

“Mendoj se roli ynë si brezi i ardhshëm i udhëheqësve të Amerikës është të nxisim interes tek shkenca në radhët e moshatarëve tanë. Duhet ta bëjmë të qartë se “Shkenca është interesante. Shkenca është e bukur dhe ia vlen të merresh me të”, tha Jack Li.

“Bëhet si droga. Kur fillon të merresh me shkencë dhe gradualisht arrin sukses, është një ndjenjë e mrekullueshme. Nuk të bëhet ta lësh. Mendoj se kurrë nuk do të jem në gjendje të shkëputem prej shkencës”, tha Marian Bektel.

Konkursi i Talenteve Shkencore pohon se dhënia pas shkencës është një prirje shumë positive që po nxjerr në pah një brez të ri shpikësish, të cilët do të jenë në gjendje të gjejnë përgjigje për disa prej problemeve më të mprehta të botës.

XS
SM
MD
LG